Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një togeri policor në Skenderaj, i cili bashkë me disa zyrtarë të tjerë policorë, kanë shkuar për ngushëllime tek familja e Faton Hajrizit, pasi që ky i fundit u vra nga forcat serbe në Serbi.
“IPK ka pranuar informatat e para për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe dyshohet se togeri policor së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim për disa vepra penale, (dhe së fundi i njëjti është vrarë në territorin e Republikës së Serbisë nga policia atje)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
“Me këto veprime dyshohet se togeri policor dhe vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese” e paraparë me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
IPK tha se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së bazuar në fushëveprimin dhe autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor.
Faton Hajrizi u vra nga forcat serbe, pasi ky vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër. /Gazeta Enigma