Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani ka akuzuar partinë në pushtet se po mban qasje përjashtuese ndaj çdo partie opozitare. Sipas tij, Kosova është në rrezik serioz për të përfunduar në diktaturë.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje synojnë eliminimin politik të Presidentes Vjosa Osmani dhe mbajnë qasje përjashtuese ndaj çdo partie opozitare, vendi, shoqëria dhe demokracia janë në rrezik serioz. Sot kemi vetëm dy rrugë: Ose shkojmë në zgjedhje të reja dhe ia kthejmë vendimin qytetarit, Ose heshtim dhe lejojmë që vendi të rrëshqasë drejt një autoritarizmi të plotë, me prirje drejt një diktature”, ka shkruar Rrahmani në Facebook të mërkurën.
Kryetari i LVV-së dhe kryeministri Albin Kurti në javët e fundit është takuar pesë herë me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në diskutimet për të caktuar emrin e presidentit. Takimet nuk kanë rezultuar me emra për president.
E presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur ambicie edhe për një mandat. Gjithsesi, Kurti nuk e ka përmendur si kandidate të mundshme, por që ka thënë se në Kuvend duhen 80 deputetë për të siguruar zgjedhjen e presidentit.
Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja. Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.
