Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që në Asociacion të përfshihen edhe tri ose katër komuna shqiptare.
Pjesëtari i shoqërisë civile ka propozuar një pikë të veçantë në statutin e Asociacionit, i cili do t’iu jepte komunave shqiptare të drejtat e njëjta sikurse të pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se ky propozim mundësohet nga pika 18 e marrëveshjes për Asociacionin.
“Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që gjatë hartimit të Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në këtë asociacion të futen edhe 3-4 komuna me shumicë shqiptare (këtë e mundëson në një mënyrë edhe pika 18 e marrëveshjes për parimet e përgjithshme/elementet kryesore për asociacionin) për shkak të parimit të shumë proklamuar të multi-etnicitetit, ku asambleistët e minoritetit shqiptar në Kuvendin e Asociacionit do të kishin të drejta të njëjta sikur deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës – pra, pa 2/3 e votave të minoritetit shqiptar, Kuvendi i Asociacionit nuk do të mund të merrte asnjë vendim”, ka thënë ai. /GAZETA ENIGMA/