Ish-komandati i FSK-së-Qeverisë: Përdorni të gjitha mjetet për zhbllokimin e rrugëve në veri

Ish-komandati i FSK-së-Qeverisë: Përdorni të gjitha mjetet për zhbllokimin e rrugëve në veri

Ka pesë ditë qëkur dy rrugët, njëra që të çon për në pikëkalimin kufitar në Jarinjë dhe tjetra në atë të Bërnjakut, vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Ato i kanë bërë të pakalueshme kamionët dhe veturat, të vendosura nga qytetarët serbë lokalë në shenjë kundërshtimi për reciprocitetin e targave, që Kosova i vendosi Serbisë, të hënën.

Nga kjo ditë për të mbajtur rendin e monitoruar situatën, në veri po qëndrojnë edhe forcat e Njësisë Speciale të Kosovës.

Sipas ish-komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, situata në këtë zonë nuk mund të qëndrojë gjithmonë kështu.

Andaj ish-ushtaraku ka një thirrje për qeverinë e Kosovës.

“Nuk mund të rrijnë Policia atje në pafundësi. Njësiti Special është njësit që shkon e kryn operacionin disa orë dhe kthehet në bazë. Qeveria në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të ndërmarrin veprime për ta liruar rrugën sa më shpejt, menjëherë”, është shprehur Kastrati për “Front Online”.

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes thotë se kjo duhet të tentohet të arrihet së pari përmes dialogut me shtetin serb, ndërkaq përmend edhe forcën si opsion të dytë.

“Fillimisht duhet të ketë bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit. T’u lihet hapësirë bisedimeve. Nëse nuk rezulton me diçka pozitive, normal që duhet me i përdorë të gjitha mjetet për zhbllokimin e rrugëve. S`lejohet me privu askënd nga lëvizja e lirë”, deklaroi Kastrati.

Konfliktin që do të mund të shpërthente nga një reagim i tillë, ky e përjashton shkaku i pranisë së KFOR-it në vend.

Kastrati ka lavdëruar Policinë për pjekurinë dhe profesionalizmin e treguar deri më tani në veri, pavarësisht provokimeve nga pala serbe.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Related Articles