Ish-kryeinspektori i AKI-së, Maqedoncit: Publikoje letrën që ia keni dërguar KFOR-it

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Maqedoncit: Publikoje letrën që ia keni dërguar KFOR-it

Ish-kryeinspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani i ka reaguar Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili tha se letra dërguar KFOR-it për mosdërgimin në veri të FSK-së, ishte sqarim e jo rizotim, gjë për të cilën ai i ka kërkuar ta publikojë atë letër.

Ramadani thotë se Ministri Maqedonci ka konfirmuar se letra është kërkuar pas një rasti ceremonial në veri të Kosovës.

“Sot, Ministri i Mbrojtjes e paska konfirmuar se letrën që ia ka dërguar Komandantit të KFOR-it ka të bëjë me vendosjen dhe/apo lëvizjen e FSK-së në veri të Kosovës. E paska konfirmuar atë që e thash mbrëmë në Pressing T7 se letra është kërkuar pas një rasti ceremonial në veri të Kosovës. Por, për të sqaruar gjithçka, Ministri Maqedonci është më mirë ta publikojë letrën! Transparenca ndihmon demokracinë”, shkruan Ramadani.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës i ka dërguar një letër KFOR-it me zotimin se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk vendoset në veri pa autorizimin paraprak të tyre.

Për këtë, Ministri Ejup Maqedonci tha se më shumë është një sqarim sesa rizotim.

“Letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Pra çështjet përmbajtësore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të Komandantit të KFOR-it është që të sigurojmë njëri tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”, tha Maqedonci në Klan Kosova.

“Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s”, theksoi ai.

Related Articles