Ish-kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Topalli: Të mos ngacmohet familja Dehari

Ish-kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Topalli: Të mos ngacmohet familja Dehari

Zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë dhe “gjetjen” e tyre, ish-kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, po e sheh si lojë. Topalli thotë se familja Dehari duhet të lihet e qetë, e jo të ngacmohet me raste si kjo. Ministria e Drejtësisë po vazhdon të heshtë lidhur me raportimet se janë gjetur mostrat, edhe pse kryeministri Albin Kurti deklaroi dje se përgjigjen duhet ta jap ky institucion. Njëjtë po vepron edhe Prokuroria Speciale, raporton Gazeta Enigma.

Raportimet e mediave për gjetjen e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit, s’janë konfirmuar e as mohuar ende. Këto mostra që po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë raportuar si të zhdukura nga dhjetori i vitit të kaluar.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi dje para gazetarëve se përgjigjen nëse janë gjetur apo jo mostrat duhet ta jap Ministria e Drejtësisë.

“Më besoni, Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, tha shkurtimisht Kurti.

Por, Ministrja Albulena Haxhiu duket se ka vendosur ta injorojë këtë deklaratë të shefit të saj. As ajo e as institucioni që drejton s’kanë kthyer përgjigje në pyetjet që Gazeta Express ua ka adresuar për këtë çështje.

Përgjigje s’po kthejnë as nga Prokuroria Speciale.

E krejt ky rast me mostrat, nga ish-kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, po konsiderohet si lojë.

Ai ka thënë se familja Dehari s’duhet të ngacmohet me gjëra të tilla, si zhdukja apo gjetja e mostrave apo deklarime të tjera lidhur me këtë rast.

“Sa më përket mua, me krejt përgjegjësinë publike, morale, penale dhe rrethanat që i di unë, me vetë faktin e kamerave që dëshmojnë se nuk është hapur dera aty, unë e them me përgjegjësi që mundësia për ta vrarë Astrit Deharit nga jashtë, janë zero. Këtë familja e Astrit Deharit duhet me e kuptu se asaj edhe i vyen një qetësi, jo me ngacmu kohë pas kohe, por i vyen një qetësi që ta kuptojë që koha gradualisht duhet me ia shëru plagët. Jo me ngacmu, jo vjedhje të mostrave, jo u gjetën mostrat, jo ky u deklaru kështu”, ka thënë Topalli dje në RTV Dukagjini.

Topalli është shkarkuar nga pozita e Kryeinspektorit të Ministrisë së Drejtësisë, para dy ditësh.

Sipas njoftimit të MD-së, Topalli është shkarkuar nën dyshimin për shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”- thuhet në njoftimin e MD-së.

Këtë e ka mohuar Topalli.

“Ata konstatojnë që kamerat janë marrë, gjoja se unë si kryeinspektor i kam marrë kamerat para policisë. Nuk është e vërtetë”, ka thënë ai.

Në njoftimin e MD’së thuhet edhe se Topalli ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin.

“Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”- thuhet tutje në njoftim.

Për raportin e parë, Topalli ka thënë se s’ka qenë i protokolluar fare dhe si i tillë s’konsiderohet zyrtar, por vetëm informativ.

“Bëhet fjalë për një raport të datës 16 nëntor që është një raport preliminar, njoftues që raportet e tilla nuk është vetëm i datës 16 por ka edhe tjera raporte, qoftë me telefon që e kam njoftu kabinetin e asaj kohe, edhe ministren, qoftë me gojë. Inspektimi ka zgjatur mbi 15 ditë dhe unë për çdo ditë kam gjet elemente të reja dhe kam thënë kështu-kështu. Ajo është një pjesë e raportit e paprotokolume, nuk është raport zyrtar, është raport informativ për kabinetin, kështu ka ndodhë, i nënshkruar prej meje, për me dhanë autorizim që unë e kam dërgu atë raport. Dhe kur kanë përfundu të gjitha elementet e tjera, unë e kam bërë raportin përfundimtar me numër të protokollit, e kam protokolu me numër zyrtar dhe e kam dërgu në Kabinet dhe është raporti i datës 21 nëntor 2016. Raporti i datës 16 dhe raporti i datës 21 dallojnë vetëm për shkak të qasaj terminologjisë”, ka thënë Topalli.

Një deklaratë tjetër që e ka dhënë dje ish-kryeinspektori Topalli është edhe se Dehari kishte tentuar njëherë të bëjë vetëvrasje me bica.

“…në dhomë janë gjetur bica të rrojës, që praktikisht sipas rregulloreve  nuk guxojnë me pas bica, sepse i ndjeri ka tentu njëherë me bica me ba vetëvrasje, me pre veten, më lëndu veten. Është e randë, por opinioni duhet me ditë. Shenjat janë. Pastaj prej momentit kur një i burgosur vendoset vetë më dhomë, oficerët janë të obliguar me ardh kohë pas kohe me kqyr ose duhet me ia lënë një brenda që mos me lanë vetë. Edhe ka pas një sërë shkeljesh procedurale të imta për të cilat ne i kemi gjet fajtorë zyrtarë korrektues edhe kanë pas pasoja disiplinore. Por nuk kemi gjetë në asnjë element, në asnjë formë diçka që ka nxit të ndjerin Astritin për me ndërmarrë diçka një veprim, ndonjë inatosje prej stafit ose ngacmim prej stafit, ose presion prej stafit”, deklaroi Topalli.

Kur u panë për herë të fundit mostrat e Deharit?

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte ngritur dyshime se mostrat mund të jenë zhdukur edhe para dhjetorit.

Sallahu tha se hera e fundit kur epruvetat e Deharit janë parë është 8 tetori i vitit 2021.

“Në laborator gjinden mbi 2 mijë mostra/epruveta të njerëzve të caktuar. Të gjitha janë në një vend të ruajtura. Tash ato epruveta, në momentin që bëhen analiza, arkivohen edhe të njejtën gjë, kur janë bë analizat e Astrit Deharit në tetor të vitit 2021, janë arkivu, pra janë vu në epruveta, sikur të personave të tjerë. Pastaj ne jemi lajmëru më 7 dhjetor 2022 nga Drejtoresha që kanë humbur mostrat…sepse janë bartur prej atij frigoriferi në frigoriferin të ri që është blerë dhe aty është vërejt që mungojnë. Mundet me qenë që edhe ditën e njejtë kanë humbë, nuk e përjashtoj këtë mundësi, por herën e fundit, sipas informacioneve që kemi, herën e fundit që janë parë epruvetat e Astrit Deharit është 8 tetori 2021, saktë është kjo, kur janë pa me sy nga njerëz përgjegjës të institutit”, kishte thënë Sallahu mbrëmë në RTV Dukagjini.

Të suspenduarit për zhdukjen e mostrave u kthyen në punë

Për këtë rast, Ministria e Drejtësisë kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata që u pezulluan ishin Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë dhe Ilirjana Shala, kimiste në këtë Institut.

Të njëjtit janë kthyer sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.

Ndërsa dorëheqje dha zëvendësdrejtori i IML’së, Naim Uka. Uka i kishte thënë Gazetës Express se dorëheqja ishte morale.

“Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit te IML-së”, kishte deklaruar Uka.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 2016.

I ndjeri se bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, po hetohej nën dyshimin se kishin planifikuar dhe  organizuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Të njëjtit janë liruar nga akuza më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Related Articles