Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se kërkoi para në këmbim të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se kërkoi para në këmbim të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, po dyshohet të ketë marrë para dhe dhurata me qëllim që të jepte leje ndërtimore të kundërligjshme në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe dytë të vikend zonës në Brazovicë, raporton Gazeta “Enigma”

Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi se ai ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Tutje, në njoftimin thuhet se gjatë bastisjes së djeshme, në shtëpinë e Nikolliqit është gjetur edhe armë.

Ndërkohë, të marten në media u publikuan dosjet, pas të cilave ishte arrestuar ish-kryetari  Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolic, nën dyshimet se ky i fundit ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.

Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

Lidhur me arrestimet në Kosovë ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Nikolliq, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Ndaj arrestimeve reagoi Lista Serbe, e cila tha se e dënon “përdorimin e tepruar të forcës” dhe “aksionin brutal” që u krye në Komunën e Shtërpcës.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se gjatë këtij aksioni – me deklaratat nga terreni – policia ka penguar lëvizjen, hyrjen dhe daljen nga Komuna e Shtërpcës, të njerëzve të thjeshtë, përfshirë edhe ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Vuçiq, tha se “shteti [i Serbisë] do t’u ofrojë ndihmë juridike” të gjithë të arrestuarve në Komunën e Shtërpcës.

Duke folur para gazetarëve në Tiranë, ku mori pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, Vuçiq tha se Prishtina “ka thënë që në fillim se kriminelët jetojnë në veri të Kosovës”, por shtoi se tani “duket se ka disa [edhe] në jug”.

“Unë thjesht nuk e di se si ata [zyrtarët në Kosovë] nuk gjetën kriminelë më të rëndë gjatë rrugës, i gjejnë vetëm në mesin e serbëve”, tha Vuçiq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kjo është “një tentativë tjetër brutale për të frikësuar popullin serb në Kosovë” dhe “një terror i ri i kryeministrit Albin Kurti”./Gazeta Enigma/

Related Articles