Aksioni në Brezovicë, Veton Surroi bashkëpronar i kompleksit për të cilin dyshohet se u dhanë 410 mijë euro ryshfet

Aksioni në Brezovicë, Veton Surroi bashkëpronar i kompleksit për të cilin dyshohet se u dhanë 410 mijë euro ryshfet

Emri i publicistit kosovar, Veton Surroi përmendet si një prej aksionarëve të kompanisë “Stella Consulting”, për të cilën kompani Prokuroria Themelore në Ferizaj pretendon se ka dhënë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore, raporton Gazeta “Enigma”.



Ndërkohë dje në media u publikuan dosjet, pas të cilave është arrestuar ish-kryetari  Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolic, nën dyshimet se ky i fundit ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.

Se Surroi është një nga aksionarët e kësaj kompanie, vërtetohet në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve emri i Surroit figuron në listën e aksionarëve me 30 %, derisa aksionari tjetër është Gentjan Sula me 70 % të aksioneve.


Ndërkohë, se Surroi është i përfshirë në këtë aksion e ka mohuar, kryeprokurori, Shukri Jashari.

Ai për Gazetën “Enigma”, ka thënë se në këtë rast, Surroi nuk është i përfshirë.

Vite më parë, mediumi “Insajderi” kishte raportuar lidhur me lejet ndërtimore në Brezovicë ku është përfshirë edhe kompania “Stella Consulting”

Atë kohë, Surroi kishte mohuar se është bërë ndonjë shkelje, derisa për vete kishte thënë se është aksionar i vogël.

 “Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, ka thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin në vitin 2020. / Gazeta Enigma.

Related Articles