Ish-oficeri britanik: Nuk kam prova se është keqtrajtuar personi i ndaluar

Ish-oficeri britanik: Nuk kam prova se është keqtrajtuar personi i ndaluar

Ish-oficeri i ushtrisë britanike, Douglas Young, e ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve. Kjo dëshmi lidhet me Ymer Xhafiqin që sipas tij ishte rrëmbyer por për të cilin nuk tregoi asnjë provë që ishte mbajtur nga UÇK apo që ishte keqtrajtuar.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ai është përgjigjur në pyetjet e avokatëve mbrojtës si dhe trupit gjykues.

Derisa është intervistuar nga mbrojtja e Kadri Veselit, është bërë e ditur se Xhafiqi në atë periudhë ishte i regjistruar në MUP-in serb.

Pjesë nga dëshmia:

Avokati Emmerson: Në hetimin që keni bërë, keni vërtetuar që ai ishte oficer i MUP-it i regjistruar, apo jo?

Dëshmitari Young: Ishte oficer i regjistruar në mënyrë të rregullt që atë ministri, me sa kam kuptuar roli i tij që nga fillimi ishte të merrej me dokumente.

Avokati Emmerson: Por siç e dini, si pjesëtar i forcave të armatosura i regjistruar në mënyrë të duhur dhe i uniformuar nuk ka rëndësi a jeni kuzhinier apo merreni me trafikun.

Dëshmitari Young: Nuk e di as njërën as tjetrën, nuk e di a e ka pasur uniformën apo jo, në kohën kur është ndaluar.

Avokati Emmerson: A është e saktë që në atë kohë po zhvilloheshin operacione ushtarake të MUP-it në Kosovë dhe afër kufirit, dhe menjëherë në afërsi të zonës ku ju keni bërë hetimin, përpara dhe pas në këtë zonë ku forcat e MUP po përdornin fuqi për të sulmuar UÇK-në?

Dëshmitari Yoing: Më duket pyetja e vështirë, bëhet fjalë për një person që shkonte në punë nuk po flasim për pjesën morale të historisë.

Avokati Emmerson: Por operacione e MUP-it, edhe ata në fakt në një farë mënyre po shkonin në punë kur bënin luftime, bëhet fjalë që kemi forcat e MUP-it që po luftonin kundër UÇK-së përpara dhe menjëherë pas kësaj ngjarje.

Emmerson e ka lexuar një deklaratë të dëshmitarit lidhur me hetimin që ai e kishte kryer në kuadër të misionit vëzhgues në Kosovë.

Aty u bë e ditur se në atë zonë ku po kryheshin hetime më 9 mars, një ditë më herët kishte pasur të shtëna në mes të MUP-it dhe UÇK-së.

Në këtë kontekst dëshmitari e pranoi se këto forca ishin rrezik për pjesëtarët e UÇK-së.

Tutje, Emmerson është ndalur edhe te takimi që dëshmitari pretendon ta ketë zhvilluar më Fatmir Limajn në Tërpezë.

Ndërsa kur është pyetur se si e ka mësuar për ndalimin e Xhafiqit, dëshmitari ka thënë se kjo ishte bërë e ditur përmes radios nga shtabi i misionit.

“Informacioni i parë që kemi marrë është që thjesht është rrëmbyer, dhe u hamendësua që nëse ishte rrëmbyer atëherë do ta kishte rrëmbyer dikush nga ana e shqiptarëve. Por nuk pati informacione në ato momente se për llogari të kujt kishte ndodhur përveç që nga ana shqiptare…Kjo frazë është e një raporti që unë e kam parë vetëm gjatë një dëshmie, nuk jam i sigurt për fjalën komandë, por Shtabi i Përgjithshëm me siguri u përmend më vonë gjatë asaj dite. Në fillim unë pata përshtypjen që dikush i lidhur me UÇK-në ishte i përfshirë, por thjeshtë përfshirje e UÇK-së, jo Shtabit të Përgjithshëm në atë fazë”, ka thënë ai.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Dëshmitari i 25 ka shërbyer në kuadër të misionit Vëzhgues Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, pastaj edhe misionit të OSBE-së.

Ai ka thënë se është kthyer në Kosovë edhe pas luftës, kësaj radhe si pjesë e KFOR-it.

Në prezantimin e tij nga prokuroria, është thënë se dëshmitari ka bashkëpunuar me UÇK-në për gjetjen e personave sipas tyre të rrëmbyer nga UÇK.

Douglas Young është dëshmitari i tretë ndërkombëtar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve i cili njësoj si dy të tjerët ka dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seancë të hapur për publikun.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të hënën e 25 shtatorit me dëshmitarin e radhës së ZPS-së.

Ky proces gjyqësor ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Related Articles