Izraeli e përvetëson zonën neutrale të Golanit pas rënies së regjimit të Assadit

Izraeli e përvetëson zonën neutrale të Golanit pas rënies së regjimit të Assadit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se ushtria izraelite ka marrë përkohësisht kontrollin e një zone neutrale të demilitarizuar në Rrafshnaltën e Golanit.

Ai deklaroi se marrëveshja e vitit 1974 për çarmatim mes Izraelit dhe Sirisë ka “dështuar” pas marrjes së vendit nga forcat rebele.

Netanyahu tha se kishte urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) që të hynin në zonën neutrale dhe në “pozita strategjike” në pjesën e pushtuar të Golanit nga Izraeli.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë forcë armiqësore të vendoset në kufirin tonë,” u shpreh ai.

Ky veprim ndodhi pasi luftëtarët rebelë sirianë morën nën kontroll kryeqytetin e vendit, Damaskun, dhe rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad-it.

Forcat rebele, të udhëhequra nga grupi opozitar islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS), hynë në Damask herët në mëngjesin e së dielës dhe shpallën se Siria ishte “e lirë”.

Netanyahu e përshkroi rënien e regjimit të Assad-it si një “ditë historike në Lindjen e Mesme”, njofton BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Rënia e regjimit të Assad-it, tiranisë në Damask, ofron mundësi të mëdha, por gjithashtu mbart rreziqe të konsiderueshme,” tha ai.

Netanyahu shtoi se ngjarjet në Siri janë rezultat i goditjeve të Izraelit kundër Iranit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, aleatët e Assad-it.

Ai deklaroi se marrja e pozicioneve siriane në zonën neutrale ishte një “pozicion mbrojtës i përkohshëm deri sa të gjendet një zgjidhje e përshtatshme”.

“Nëse mund të vendosim marrëdhënie fqinjësore dhe paqësore me forcat e reja që po shfaqen në Siri, kjo është dëshira jonë.

Por nëse jo, ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur shtetin e Izraelit dhe kufijtë tanë,” shtoi Netanyahu.

Izraeli gjithashtu i ka paralajmëruar banorët e pesë fshatrave siriane brenda zonës neutrale që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa të ketë një njoftim tjetër.

Forcat izraelite kanë shtuar praninë e tyre në Lartësitë e Golanit, të cilat janë një zonë strategjike rreth 60 kilometra në jugperëndim të Damaskut.

Izraeli e mori Golanin nga Siria në vitin 1967 gjatë Luftës Gjashtëditore dhe e aneksoi njëanshëm në vitin 1981, veprim që nuk u njoh ndërkombëtarisht, përveç nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.

Related Articles