Në një zhvillim të fundit në luftën Izrael – Iran, Izraeli ka pretenduar se ka marrë kontroll total të hapësirës ajrore iraniane, ndërsa ka njoftuar edhe se ka shkatërruar mbi 120 lëshues raketash iraniane – afërsisht një të tretën e arsenalit raketor të Iranit – që nga fillimi i ofensivës së tij ushtarake në fundjavë.
Sipas BBC-së, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Effie Defrin, ka deklaruar se vetëm natën e kaluar, forcat ajrore izraelite kanë asgjësuar mbi 20 lëshues raketash, “vetëm pak minuta para” se të përdoreshin për të goditur territorin izraelit.
Ai gjithashtu ka shtuar se Izraeli ka ndërmarrë një valë sulmesh të koordinuara mbi rreth 100 objektiva ushtarake në Isfahan, në qendër të Iranit, duke përfshirë depo raketash, qendra komanduese dhe lëshues, me pjesëmarrjen e rreth 50 avionëve luftarakë.
Ndërkohë, në një tjetër deklaratë të fortë, ushtria izraelite ka thënë se ka “kontroll të plotë ajror mbi Teheranin”.
Këto pretendime vijnë në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë në kulmin e tyre dhe rreziku për përshkallëzim të mëtejshëm mbetet i lartë.