Izraeli tha të mërkurën se ka vrarë 16 pjesëtarë të Hamasit në Gaza. Luftimet midis forcave izraelite dhe grupit militant u përshkallëzuan qysh më 10 maj.
Që nga ajo ditë, së paku 56 palestinezë janë vrarë në Gaza – në mesin e tyre 14 fëmijë, thanë autoritetet shëndetësore. Së paku gjashtë njerëz janë vrarë në Izrael, thanë zyrtarët shëndetësorë atje. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se komandanti i brigadës për qytetin e Gazës është në mesin e pjesëtarëve të vrarë të Hamasit.
“Ky është vetëm fillimi. Ne do t’i godasim ata ashtu siç nuk mund as të ëndërrojnë”, tha ai.
Menjëherë pas njoftimit, Hamasi sulmoi me raketa qytetin izraelit të Ashodit, ndërsa mediat izraelite thanë se ushtria po përgatitet për sulme të reja në zonën e Tel Avivit. Hamasi, i cili kontrollon Gazën, konfirmoi vdekjen e komandantit dhe të “udhëheqësve të tjerë”.
“Përballja me armikun është e hapur”, tha lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh.
Një palestinez argumenton me forcat izraelite të sigurisë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit Lindor. Dhuna vjen pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga konfrontimet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor, që është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë. Protesta të dhunshme ka pasur edhe në Bregun Perëndimor, si dhe në qytete të tjera izraelite me popullsi të madhe arabe.