Qytetarët serbë nga Kosova po shkojnë në Serbi për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, të cilat po mbahen më 3 prill. Kjo pasi, Qeveria e Kosovës për herë të parë nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës.
Më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.
Rashka është një nga katër komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Transport iu është mundësuar edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, kjo kërkesë nuk është pranuar nga autoritetet në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se me këtë kërkesë, Kurti ka dashur që Serbia ta njohë Kosovën.
Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjimin e madh” për vendimin e Qeverisë së Kosovës që mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Quint kishte propozuar që zyrtarët e zyrave ndërlidhëse të Kosovës dhe Serbisë të komunikonin për mbajtjen e zgjedhjeve serbe, por Prishtina kishte kërkuar që ky komunikim të zhvillohej në nivel të shteteve.
Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut – komuna të banuara me shumicë serbe – pati protesta të serbëve.
Në janar të këtij viti, Kosova po ashtu kishte refuzuar që të lejojë votimin për një referendum për ndryshime kushtetuese të Serbisë. Madje, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi në territorin e Kosovës. Edhe për këtë vendim të Kosovës, Quint-i dhe Bashkimi Evropian kishin shprehur keqardhje.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.