Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shkruar për suksesin e Nora Gjakovës në Lojërat Olimpike në Tokyo, e cila fitoi medaljen e artë, raporton Gazeta “Enigma”.
Jahjaga shkruan se përderisa më 1998-1999 po luftonim për jetë, sot po luftojmë për të mbërritur majat e suksesit nëpër botë.
Postimi i saj i plotë:
Historia moderne e Kosovës po shkruhet nga vajzat tona dhe atë përmes suksesit të njëpasnjëshëm në sport!
Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova ia kanë sjellë Kosovës, deri më tani, tri medalje të arta nga Lojërat Olimpike.
Më 1998-1999 ne po luftonim për jetë; sot po luftojmë për të mbërritur majat e suksesit nëpër botë. Çfarë ironie e ëmbël, apo jo?!
Kosovën, të cilën disa donin ta zhduknin nga faqja e dheut, të rinjtë e të rejat tona po e vendosin në hartë më fuqishëm se kurrë!
Suksese të mëtejmë ekipit olimpik të Kosovës! Krenare sa më s’ka!