Janjiq: SHBA po përgatit një dokument kyç për dialogun Kosovë-Serbi

Janjiq: SHBA po përgatit një dokument kyç për dialogun Kosovë-Serbi

Një dokument i rëndësishëm i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara për dialogun Kosovë–Serbi pritet të bëhet publik gjatë muajve mars–prill.

Kështu thotë eksperti i çështjeve të Ballkanit, Dushan Janjiq. Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se ku dokument shënon një fazë të re të përfshirjes së drejtpërdrejtë amerikane në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Unë mund të them se statusi është përafërsisht i njëjtë me atë që ishte një vit më parë, në lidhje me ligjin e sapomiratuar për Ballkanin Perëndimor. Kjo tregon se ekziston një komunikim i vazhdueshëm. Edhe në SHBA ka ekspertë dhe lobistë, dhe këtë e di veçanërisht pala shqiptare, sepse ata janë më efikas. Kjo praktikë ka vazhduar që prej viteve ’90-ta, me një mbështetje të fortë të diasporës shqiptare dhe me koordinim të dukshëm, pavarësisht se kush është në pushtet në Prishtinë. Personalisht, unë komunikoj kryesisht me disa kongresmenë dhe ekspertë dhe më pas jam rregullisht në listën e informimit për atë që ndodh në Kongres”.

“Në këtë rast konkret, informacioni për dokumentin më erdhi pikërisht nga këto burime ekspertësh, për shembull nga një kongresmen, i cili tha se kjo mund të ndodhë në mars ose prill. Ky është informacioni që kam marrë atje. Për sa i përket qëndrimit tim ndaj këtij dokumenti, natyrisht bëhet fjalë për një forum që lidhet me marrëdhëniet etnike. Çdo herë që është punuar diçka, ajo është dërguar jo vetëm në Kongres, por edhe te ekspertët dhe miqtë me të cilët bashkëpunojmë.  Për shembull, një nga dokumentet bazë të forumit quhet “Qëndrimet e Forumit” dhe daton nga viti 2016. Në Serbi askush nuk na ka thirrur për bisedime, edhe pse ne e kemi bërë këtë brenda dialogut të brendshëm të shpallur nga Aleksandër Vuçiq”.

“Mendoj se pikërisht kjo e ka motivuar Vuçiqin ta ndërpresë dialogun, jo me ne konkretisht, por në përgjithësi. Ekziston ky komunikim në kuptimin që ne marrim informacione dhe ofrojmë ide. Ai bisedim konkret zgjati rreth 40 minuta dhe, në fund, mora informacionin, dhe aty përfundoi. Siç e dini, fillimisht dokumenti shkon në një nga komisionet apo nënkomisionet e Kongresit, pastaj te komisioni kryesor. Por, siç pamë në rastin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës – që përfshin komunat: Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë – vendimi u miratua shumë shpejt”.

“Kjo krijoi detyrimin për të bërë një vlerësim të situatës dhe për të rregulluar çështjen e pakicës shqiptare. Ky dokument lidhet me çështje që kanë shqetësuar politikën e Serbisë dhe të Kosovës për një kohë të gjatë dhe që kanë qenë objekt interesi për të gjithë, veçanërisht për Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për statusin e Kosovës, por edhe për statusin e komunitetit serb brenda Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe dhe trashëgiminë kulturore. Kjo është e gjithë çështja”.

Një nga ekspertët kryesor të atij dokumenti ma tha këtë. Unë thjesht po e përcjell informacionin. Dhe, siç e dini, te ne ekziston një thënie: “Nuk mund ta vrasësh lajmin.” Por kush është i interesuar dhe ka mundësi, ja, ekziston komiteti, ekziston mundësia. Mendoj se ende nuk ka arritur në nënkomitet, por po punohet dhe, besoni, është një ekip që arrin të gjejë konsensus ndërmjet demokratëve dhe republikanëve”.

“Sepse demokratët, për ta thënë të drejtën, kanë insistuar shumë në këtë çështje prej kohësh, veçanërisht ish presidenti Joe Biden dhe shumë njerëz që unë i kam njohur dhe me të cilët kam bashkëpunuar personalisht. Kjo nuk është vetëm politika amerikane e njohjes reciproke, por edhe një ide se si të zgjidhen çështjet. Trump gjithashtu shtoi një element të ri në Marrëveshjen e Uashingtonit, për ta kaluar çështjen në nivelin e ekonomisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit, dhe për të dalë përfundimisht nga ideologjitë, populizmi dhe luftërat. Mendoj se kjo është diçka që tani gjithashtu do të mbështetet nga Shtëpia e Bardhë, sepse, në fund, Shtëpia e Bardhë duhet ta nënshkruajë”.

“Unë kam përmendur dy dokumente që më parë ishin të pamundura. Është fjala për ligjin për Ballkanin Perëndimor, pastaj për qëndrime të veçanta lidhur me Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, dhe më pas këto u bënë pjesë – gjë që nuk kishte ndodhur më parë – e ligjit për financimin e sigurisë kombëtare. Shikojeni ligjin dhe aty mund të shihni saktësisht se çfarë do të financohet dhe çfarë do të bëhet.

Nëse i shikoni tri ose katër pikat që lidhen me Kosovën, ato kanë të bëjnë me njohjen reciproke, me zgjidhjen e këtij problemi dhe me pyetjen nëse përmendet termi “bashkësia e komunave serbe” – mendoj se jo – por përmendet statusi dhe pozita e serbëve. Pra, janë tri pika, dhe natyrisht pika e tretë është kundërshtimi i ndryshimit të kufijve, që është një qëndrim i përgjithshëm. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Edhe për Luginën e Preshevës, besoni, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Për një kohë të gjatë ajo ka qenë objekt i të ashtuquajturit grup i vendeve mike; është luftuar gjatë për këtë çështje. Madje edhe Këshilli i Sigurimit ka diskutuar për të në kuadër të trupit koordinues. Për një kohë të gjatë ka vepruar edhe ekipi rreth deputetit Shaip Kamberit, më herët rreth ish deputetit Riza Halimit  dhe, natyrisht, edhe politikanë të tjerë shqiptarë nga ato, le të themi, tri komuna”.

“Sepse serbët flasin për Luginën e Vranjës, ndërsa Lugina e Preshevës konsiderohet pjesë e saj, që të mos hyjmë në debate rreth emërtimit. Shumë njerëz kanë punuar për këtë dhe, në thelb, ky është rezultat i një situate në terren që nuk është shumë e rrezikshme nga pikëpamja e sigurisë, por që është krijuar pas qetësimit të konflikteve të armatosura të vitit 2001 dhe vazhdon prej 24 vitesh. Sipas mendimit tim, prioriteti dhe arsyeja pse administrata e Trumpit është angazhuar këtu është e qartë. Së pari, bëhet fjalë për një shtet shumë të madh”.

“Mjafton të keni atje 50 persona – dhe tani ka edhe më shumë – që merren me një problem dhe, nëse keni edhe 10 kongresmenë, madje edhe më shumë, kjo përbën një mekanizëm shumë të fuqishëm për përshpejtim.

Së dyti, për arsye sigurie, Trump, pavarësisht gjithë këtyre tregimeve për Grenlandën dhe tema të tjera – që edhe ato janë segmente të sigurisë – dëshiron të stabilizojë dhe të rregullojë marrëdhëniet SHBA–Evropë–NATO.  Pra, NATO është fjala kyçe, anëtarësimi në NATO. Për këtë arsye, problemi duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore, përmes marrëveshjeve dhe negociatave, por jo të gjata, siç thonë ata, dhe me këtë pajtohem: të mos ketë më kufij ku grumbullohen ushtri dhe formacione paraushtarake, por të ketë dy aktorë të rinj në NATO. Kjo është pika – më falni – që e shqetëson më së shumti opinionin publik serb. Ata do të donin ta “vrisnin lajmëtarin” vetëm që të mos e dëgjojnë mesazhin”.

Related Articles