Mbrojtësi i Japonisë, Yuto Nagatomo, u ka thënë bashkëlojtarëve të tij se do t’u duhet shfaqja e “shpirtit të samurajit” të hënën, në ndeshjen e një të tetës së finales kundër Kroacisë në Kupën e Botës.
Dhe, për sukses ndaj nënkampiones së botës, japonezët do të kenë nevojë për një tjetër kualitet të cilin Nagatomo e kishte mësuar duke luajtur për afër një dekadë në Itali, më së shumti me Interin.
“Guxim”, ka thënë Nagatomo para ndeshjes që fillon në orën 16:00. “Ne duhet të luajmë guximshëm”.
Japonia është duke u paraqitur në fazën nokaut për herën e katërt dhe ende është duke e kërkuar fitoren e parë në këtë fazë të Botërorit. E kaloi grupin duke mposhtur dy ish-kampionet botërore, Gjermaninë dhe Spanjën, me rezultatin 2:1. Pësoi disfatë 1:0 nga Kosta Rika.
Kroacia, shteti më i vogël në një të tetën e finales me vetëm katër milionë banorë, ishte finaliste e Kupës së Botës katër vjet më parë dhe përfundoi e treta në Botërorin e vitit 1998.
A mund të ketë gëzim për herën e tretë?
“Pse jo”, ka thënë përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliq.
Nagatomo po paraqitet për herën e katërt në Kupën e Botës dhe ka kujtuar se si Japonia ishte duke udhëhequr 2:0 ndaj Belgjikës në një të tetën e finales para katër vjetësh në Rusi, por ishte eliminuar 3:2 pas një goli të pranuar në fund të shtesës.
“Nuk e kam harruar kurrë”, ka thënë Nagatomo, ndërsa iu kthye temës së kampanjës së Japonisë në këtë Kupë të Botës, duke e krahasuar me luftëtarët japonezë, samurajët.
“Ata po mundohen që ta përmirësojnë teknikën”, ka thënë Nagatomo. “Por nëse ata frikësohen në betejë, nuk do të mund t’i përdorin krejtësisht armët dhe teknikat”.
Përzgjedhësi i Kroacisë, Daliq, ka thënë se ekipi i tij do të përgatitet shumë mirë. Ka shtuar se kanë parë shumë lojtarë të Japonisë që luajnë me ekipet e tyre në ligën e Gjermanisë, Bundesliga.
“Ata do të mundohen ta përdorin filozofinë e samurajëve në lojën e tyre”, ka thënë Daliq. “Ne po ashtu do ta kryejmë detyrën tonë. Ne e dimë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Dhe e dimë se cili është kundërshtari jonë. E dimë edhe mentalitetin e tij. Nëse ne duam të shkojmë më tutje në këtë turne duhet që ta përdorim të njëjtin standard dhe ta kemi qëndrimin e njëjtë”.
Kroacia avancoi në fazën nokaut pas barazimeve pa gola me Belgjikën dhe Marokun, ndërsa fitoi me rezultatin 4:1 ndaj Kanadasë.
Mesfushori i Real Madridit, Luka Modriq, futbollisti më i mirë në botë në vitin 2018, mbetet kryesori i ekipit. Kroacia bazohet në mesfushorët me eksperiencë, kurse i mungon një sulmues i cilësisë së lartë.
Në secilën ndeshje në të cilën luan Modriq 37-vjeçar, tani e tutje, mund të jetë e fundit në Kupë të Botës.
Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë në çerekfinale ndaj Brazilit, që është pesë herë fitues i Botërorit, apo Koresë së Jugut.