Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia ranë dakord të dielën, më 9 janar, që të mbajnë trupat amerikane brenda bazave të tyre pas shqetësimeve në rritje sa i takon rasteve të reja me koronavirus.
Kufizimet e vendosura, duke filluar nga e hëna do të zgjasin 14 ditë, duke kufizuar personelin ushtarak amerikan që të qëndrojë në objektet e bazave ushtarake në Japoni, përveç “aktiviteteve thelbësore”, u tha në një deklaratë nga Forcat e SHBA-së në Japoni.
Ministria e Jashtme japoneze publikoi të njëjtën deklaratë.
SHBA-ja ka të dislokuara në territorin e Japonisë rreth 55,000 mijë ushtarë që nga vitet e 50-ta.
SHBA dhe Japonia do të ndajnë informacione dhe do të bashkëpunojnë për masat kundër koronavirusit, “duke pasur parasysh virulencën e jashtëzakonshme të variantit Omicron që përhapet në të gjithë Japoninë”, thuhet në deklaratë.
Anëtarët e ushtrisë amerikane do të mbajnë maska, si në bazë ashtu edhe jashtë bazës, kur janë jashtë shtëpive të tyre dhe do të vazhdojnë të kryejnë testime të rrepta përpara se të nisen për dhe pas mbërritjes në Japoni, thuhet në deklaratë.
Rastet e reja të COVID-19 janë rritur në Japoni, duke kaluar mbi 8,000 më 8 janar, një rekord katër mujor. Rritja ka qenë më e theksuar në zonat pranë bazave amerikane.
Javën e kaluar, Japonia kërkoi nga SHBA-ja bashkëpunim për të mbajtur personelin e saj ushtarak në baza.
Okinawa, një grup ishujsh jugperëndimor që strehon shumicën e 55,000 trupave amerikane në Japoni, është ndër tre prefekturat ku kufizimet e veçanta të qeverisë filluan të dielën më 9 janar.
Masat, të cilat zgjasin deri në fund të muajit, përfshijnë mbylljen e restoranteve në orën 20:00. Disa restorante gjithashtu duhet të ndalojnë së shërbyeri alkool.
Kufizimet hynë gjithashtu në fuqi në prefekturën Yamaguchi, ku ndodhet baza Iwakuni, dhe afër Hiroshimës.
Muzeu Përkujtimor i Paqes i Hiroshimës, i cili dokumenton bombardimet atomike amerikane të Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, dhe Kalaja e Hiroshimës janë të mbyllura për vizitorët.
Rajone të tjera mund të shohin kufizime të ngjashme nëse rastet vazhdojnë të rriten rastet me COVID-19./Gazeta “Enigma”/