Japonia e vlerëson procesin e dialogut dhe arritjen e një zgjidhjeje

Japonia e vlerëson procesin e dialogut dhe arritjen e një zgjidhjeje

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë thuhet se temë kryesore e këtij takimi ishte dialogu Kosovë-Serbi, ku Mitsunori shprehu vlerësim nga ana e Japonisë për përpjekjet e Kosovës që të vazhdojë përpara me dialog dhe të arrijë zgjidhje në këtë proces.

Bislimi në përputhje me mesazhin e Mitsunorit, ritheksoi që ai është i interesuar të vazhdojë angazhimin e tij në një dialog të drejtë dhe me parime të barabarta për të mirën e të dy popujve, me qëllim të arritjes së objektivave që duhet të definohen qartazi nga të dy palët nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në takim u diskutua edhe për Lojërat Olimpike në Tokio, ku sportistët e Kosovës kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm. Mitsunori u shpreh se është arritje e madhe për një shtet si Kosova, që ndonëse me sipërfaqe dhe popullsi relativisht të vogël, çdo ditë e më shumë lë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë theksoi se marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve duhet të thellohen në të gjitha fushat. Ai gjithashtu tha se shteti i Japonisë është i interesuar në organizimin e seminarëve virtualë përmes së cilëve investitorët potencialë informohen rreth mundësive të investimit në shtetin e Kosovës.

Bislimi e falënderoi Mitsunorin për vizitën. Ai së fundmi tha se Qeveria e Kosovës pret një kapitull të ri bashkëpunimi ekonomik me Japoninë, sidomos në sektorin e biznesit, duke marrë parasysh rininë e Kosovës me shumë potencial për zhvillim./Gazeta Enigma/.

Related Articles