I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për Haitin, Daniel Foote, ka dhënë dorëheqje nga ky post, duke i kundërshtuar ato që i cilësoi dëbime çnjerëzore të imigrantëve haitianë për në atdheun e tyre, të goditur nga konflikti social dhe fatkeqësia natyrore, njoftuan zyrtarët amerikanë të enjten.
Foote ishte emëruar në këtë post vetëm para rreth dy muajve, pas vrasjes së presidentit të Haitit. Edhe para dëbimit të imigrantëve nga qyteza e vogël kufitare e Teksasit, Del Rio, diplomati i karrierës ishte i njohur për zemërimin me atë që e cilësonte mungesë të urgjencës në Uashington dhe ngadalësinë e madhe rreth përpjekjeve për t’i përmirësuar kushtet në Haiti.
I dërguari i shkroi kryediplomatit amerikan, Anthony Blinken, duke e njoftuar se po jep dorëheqje menjëherë “me zhgënjim të thellë dhe kërkimfalje ndaj atyre që kanë kërkuar ndryshime jetike”, shkruan Independent.
“Unë nuk do të ndërlidhem me vendimin çnjerëzor, kontraproduktiv të Shteteve të Bashkuara për dëbimin e mijëra refugjatëve dhe imigrantëve haitianë për në Haiti. Qasja jonë politike ndaj Haitit mbetet thellësisht me të meta dhe rekomandimet e mia për politika janë injoruar e janë hequr, kur nuk janë përshtatur për të projektuar një narrativë ndryshe nga e imja”, thuhet në letrën e të dërguarit që dha dorëheqje.
Dy zyrtarë amerikanë me njohuri për këtë çështje e konfirmuan dorëheqjen e këtij zyrtari në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht rreth kësaj teme.