Me anë të një letre të gjatë të publikuar në profilin e tij në Facebook, Sejdi Hoxha, njofton për dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të degës së Drenasit në PDK.
Teksa ka bërë të ditura arsyet e dorëheqjes, ai ka thënë se PDK mbetet adresa e tij politike, duke e vazhduar kontributin në Këshillin Drejtues.
“PDK në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbaj pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë. Me qenë se problemet aktuale në degë tejkalojnë kompetencat e mia politike, unë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejoj qe dega të ndahet pak muaj para zgjedhjeve lokale, sepse kjo do të ju shërbej vetëm konkurrenteve tonë politik dhe askujt tjetër. Prandaj si zgjidhje e vetme e imponuar pa dëshirën time kam marrë vendim që të jap dorëheqje të pa revokueshme nga pozita e kryetarit të degës në Drenas”, shkruan Hoxha ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetar, struktura dhe simpatizant të PDK-së,
PDK në Drenas ka kaluar nëpër shumë sfida e sidomos në këto dy vitet e fundit. Si kryetar i degës kam punuar me mendje dhe zemër, me mish dhe shpirt qe t’i tejkaloi këto probleme të krijuara, ta mbaj degën të fuqishme dhe të konsoliduar.
Në shumë raste kam tejkaluar edhe vetën time, kam shkelur edhe mbi parimet e mia, edhe jam dëmtuar qëllimshëm vetëm e vetëm që degën më të fuqishme të PDK-së ta mbaj unike dhe të fuqishme, këtë edhe e kam arritur në dy palë zgjedhje nacionale.
Strukturat e degës qe kanë dalë nga zgjedhjet e brendshme në të cilat kanë marrë pjesë rreth 10.000 qytetarë meritojnë të trajtohen me dinjitet, të respektohen dhe të falënderohen, asnjë nga ta nuk është i emëruar në pozita drejtuese, por të gjithë janë zgjedhur duke ju nënshtruar votës së lirë të qytetarit.
Ju jam shumë mirënjohës dhe falënderues delegateve të Kuvendit të degës të cilët më kanë besuar dhe me votën e tyre më kanë zgjedhur kryetar të degës në Drenas në vitin 2019. Këtë besim e kam arsyetuar me punë dhe angazhim maksimal në dy palë zgjedhje që kanë ndodhur brenda një viti.
Së bashku me strukturat e degës dhe me mbështetjen e qytetareve të Drenasit kemi shënuar fitore bindëse në dy palë zgjedhje nacionale, më 6 Tetor edhe më 14 Shkurt, edhe pse PDK pati rënie të dukshme në shumë komuna të Kosovës, prandaj ju jam shumë mirënjohës dhe falënderues.
Të nderuar qytetar dhe simpatizant të PDK-së, edhe pse isha i gatshëm te jap gjithçka nga vetja ime për ta mbajtur degën unike dhe të fuqishme kjo rezultojë të jetë e pa mundur, sepse ka shumë probleme të cilat i tejkalojnë kompetencat e mia si kryetar i degës, dhe për pasoje erdhi deri të shpërthimi i shumë pakënaqësive të cilat tash më janë të njohura për opinionin.
PDK në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbaj pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë.
Me qenë se problemet aktuale në degë tejkalojnë kompetencat e mia politike, unë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejoj qe dega të ndahet pak muaj para zgjedhjeve lokale, sepse kjo do të ju shërbej vetëm konkurrenteve tonë politik dhe askujt tjetër.
Prandaj si zgjidhje e vetme e imponuar pa dëshirën time kam marrë vendim që të jap dorëheqje të pa revokueshme nga pozita e kryetarit të degës në Drenas.
Ju jam falënderues dhe mirënjohës mijëra aktivisteve të PDK-së me të cilët kam punuar në këto dy vite, përulem me respekt para kontributit të tyre.
Në të njëjtën kohë i njoftoi ata që PDK mbetet adresa ime politike, do të vazhdoi të jap kontributin tim në Këshillin Drejtues, të punoj për ta ngritur dhe për ta fuqizuar PDK-në ashtu siç e dëshirojnë qindra e mijëra aktivist dhe simpatizant të PDK-së në mbarë vendin.
Lidershipi i PDK-së nuk duhet të shantazhohet para asnjë individi kush do qoftë ai, çdo vendim i marrë nën presion apo shantazh është vendim jo i drejtë dhe i dëmshëm për partinë, si dhe lëkund besimin e strukturave dhe të qytetarëve tek lidershipi i PDK-së.
Lidershipi i PDK-së nuk duhet t’i ndalë por duhet t’i vazhdoj reformat e nisura nga Kryetari Kadri Veseli, PDK nga ato reforma kishte grupin më të mirë parlamentar ky vlerësim ishte dhënë edhe nga opinionist, OJQ të ndryshme si dhe oponent tonë politik.
Ata individ që erdhën si reformë e re në parti dhe treguan sukses edhe sot duhet të ruhen dhe vlerësohen, e jo të nënçmohen e të harrohen.
Besoj fuqishëm në kthimin e shpejtë të liderëve tonë nga Haga, kthimi i tyre do të krijoj stabilitet më të madh politik dhe do ta fuqizoj PDK-në, do të krijoi mundësi të barabarta për të gjithë, duke respektuar kontributin dhe meritokracin e secilit individ.