Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është duke marrë pjesë në konferencën rajonale “Një kulturë integriteti, rritja e parandalimit të korrupsionit” që po mbahet në Kroaci.
Gjatë diskutimit në panel, ministrja Haxhiu ka pasur një përplasje me sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, Bojana Shqeanoviq, pasi që kjo e fundit iu referua Kosovës si “Kosova e Metohija”.
Telegrafi ka siguruar momentin kur ministrja Haxhiu i përgjigjet ashpër sekretare serbe duke i thënë se “Kosova është shtet i pavarur që nga vitit 2008”.
“Kosova është shtet i pavarur që nga viti i 2008, dhe ju pëlqeu apo jo kjo është fare pak e rëndësishme. Republikën e Kosovës e kanë njohur më shumë se 100 shtete dhe sigurisht jemi duke punuar që Republika e Kosovës të njihet edhe nga shtete tjera”, i është kundërpërgjigjur Haxhiu.
Ajo më tej ka kërkuar nga sekretarja serbe që të kërkoj falje për krimet që ka kryer vendi i saj.
“Ju përfaqësoni një vend që ka kryer krime të luftës qoftë në Kroaci, Bosnje apo edhe Kosovë. Andaj duhet të kërkoni falje për krimet që i ka bërë vendi juaj”, ka thënë Haxhiu.