Juventusi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Benficës me rezultat 2-0, në ndeshjen e xhiros së 7-të të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, e zhvilluar në Allianz Stadium.
Në këtë takim, Edon Zhegrova mbeti në bankën rezervë dhe nuk u aktivizua asnjë minutë.
Pjesa e parë dhe fillimi i pjesës së dytë u karakterizuan nga një lojë e baraspeshuar, me raste për të dyja skuadrat.
Epërsia për bardhezinjtë erdhi në minutën e 55-të, kur Khephren Thuram realizoi golin e parë të ndeshjes. Vetëm nëntë minuta më vonë, në minutën e 64-të, Weston McKennie dyfishoi rezultatin, shkruan Gazeta Express.
Benfica pati mundësinë të rikthehej në lojë nga pika e bardhë, por Pavlidis humbi penalltinë pas një rrëshqitjeje në momentin e goditjes. Pas golave të pësuar, skuadra portugeze nuk arriti të reagojë.
Me këtë fitore, Juventusi renditet në pozitën e 15-të me 12 pikë, ndërsa Benfica ndodhet në vendin e 29-të me 6 pikë pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara në Ligën e Kampionëve.
