Kalaja e Novobërdës (Artanës) konsiderohet një nga atraksionet më të vjetra dhe më të vizituara nga turistët në Kosovë.
Por si rezultat i një pune joprofesionale që është bërë para disa vitesh nga një kompani serbe, gjendja e saj nuk është aspak e mirë.
Në vitin 2015, UNESCO i kishte dhënë projektin për restaurimin e Kalasë së Novobërdës Kompanisë “KOTO” nga Beogradi. Pas një pune 3-vjeçare me një kosto mbi 1 milion euro, kalaja fillon të shkatërrohet gradualisht. Pas këtij skandali, kompania në fjalë rifillon restaurimin sërish por punimet u ndërprenë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me arsyetimin se ato ishin punime joprofesionale dhe me rreziqe të mëdha për monumentin.
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i tha Radio Kosovës se kanë marrë masa emergjente në atë lokalitet, sepse janë të rrezikuar edhe qytetarët. Ai tha se janë duke biseduar edhe me UNESCO për këtë çështje, për arsye se këta të fundit e kanë mbikëqyrur këtë projekt.
“Ka zhvillime rreth Kalasë së Novobërdës. Ne jemi siguruar që të merren masat emergjente në atë lokalitet, sepse deri vonë kanë qenë të rrezikuar edhe qytetarët. Prandaj kemi marrë masa emergjente, jemi në komunikim të rregullt me zyrën e UNESCO në Sarajevë dhe së shpejti pritet të ketë veprime në raport me rehabilitimin e dëmeve që janë shkaktuar atij lokalitetit”, tha ai.
Çeku tha se kompania që e ka shkaktuar dëmin duhet të ofrojë dëmshpërblim.
“Janë çështje procedure që unë besoj se kompania që ka shkaktuar demin duhet të ofrojë dëmshpërblim, por nëse do të vazhdojnë me të njëjtën kompani apo forma të tjera, këto janë çështje që do të dakordohen në nivel të ekspertëve”, shtoi ai.
Kalaja ndodhet në Komunën e Artanës, rreth 30–35 km në perëndim prej Gjilanit dhe rreth 39 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, ku ruhen rrënojat e qytetit dhe fortesës mesjetare të Novobërdës. Ky monument vizitohet nga qindra mijëra vizitorë./Gazeta Enigma/