Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka deklaruar në “60 Minutes” se posedon një armë të tipit Glock, me të cilën ka shtënë disa herë në poligon të qitjes.
“Po kam një Glock, e kam prej kohësh. Vij nga sfondi i forcave të sigurisë”, i tha Harris gazetarit Bill Whitaker të CBS News.
Ndërkaq kur u pyet nëse ka shtënë ndonjëherë me të, ajo pa hezituar tha: “Po. Natyrisht, që po. Në poligonin e qitjes, natyrisht që kam shtënë”.
Harris ka folur vazhdimisht për nevojën e adresimit të dhunës nga armët dhe ka mbajtur konferencë të përbashkët me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, për të njoftuar përpjekjet për reduktimin e vdekjeve nga armët dhe rrit masat në shitjen e caktuar të armëve.
Harris i ka bërë thirrje Kongresit që të rivendosë ndalimin e armëve sulmuese ushtarake.