Kushtrim Nijazi Kadriu, familjar i një ish-të burgosuri politik, i ka kërkuar Shoqatës së të Burgosurve Politikë që të nisë procedurat për njohjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit si të burgosur politikë.
Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Shoqatës, Shefik Sadiku, me kërkesën që çështja të shqyrtohet dhe të ndërmerren hapat institucionalë që janë në kompetencë të organizatës.
Kadriu argumenton se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i motivuar politikisht. Sipas tij, mënyra e zhvillimit të këtij procesi ka ngritur shqetësime për drejtësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Speciale.
“Duke pasur parasysh se kontributi i tyre lidhet drejtpërdrejt me luftën çlirimtare dhe krijimin e Republikës së Kosovës, ju kërkoj që këtë çështje ta trajtoni me seriozitet dhe të ndërmerrni hapat institucionalë që janë në kompetencën e Shoqatës”, thuhet në kërkesën e tij.
Në letrën drejtuar Shoqatës, Kadriu është prezantuar si familjar i një ish-të burgosuri politik dhe ka kërkuar që statusi i Thaçit, Veselit dhe Selimit të trajtohet në kuadër të kompetencave të këtij organizimi.
Ndërkohë, Jakup Krasniqi njihet si ish-i burgosur politik. Ai është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
