Kamberi për emërimin e Demo Berishës si ministër: Është në dëm të shqiptarëve, nuk i përfaqëson ata

Kamberi për emërimin e Demo Berishës si ministër: Është në dëm të shqiptarëve, nuk i përfaqëson ata

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në fjalën e tij tha se Qeveria e re e Serbisë nuk ka asnjë dallim nga qeveritë e kaluara, raporton Gazeta “Enigma”.

Në veçanti ka folur për emërimin e Dino Berishës, si ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë. Kamberi tutje ka theksuar se Berisha në asnjë moment nuk përfaqëson shqiptarët dhe se emërimi i tij do të jetë në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Pakicat do të vazhdojnë të jenë të margjinalizuara dhe të diskriminuara. Pa një plan të qartë për integrimin e tyre në jetën shoqërore të këtij vendi, të drejtat kolektive nuk realizohen me zgjidhje deklarative dhe personale, por me programe konkrete — të cilat mungojnë. Si përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare dhe si përfaqësuesi i vetëm i tyre politik në këtë kuvend, theksoj se kandidati për ministër për pakicat përfaqëson një nga zgjidhjet më kontroverse kadrovike”, deklaroi ai.

“Emërimi i tij ngjall shqetësim jo vetëm për shkak të së kaluarës së tij politike, por edhe për shkak të mesazhit se lojaliteti ndaj regjimit është më i rëndësishëm se profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia politike. Kandidati juaj perceptohet në publik si politikan pa një profil të qartë programor, por me lidhje të forta brenda strukturave të pushtetit, çka e bën shembull të “oportunizmit kadrovik””, ka theksuar Kamberi.

“Prania e tij në qeveri bazohet në pragmatizëm politik dhe në nevojën për të simuluar përfshirjen, veçanërisht sa i përket përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, sidomos asaj shqiptare. Përdorimi i këtij kandidati si alibi për përfaqësimin e supozuar të shqiptarëve në institucionet e shtetit, do të jetë i dëmshëm për interesat reale të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, por edhe për marrëdhënien e tyre me këtë shtet”, ka thënë Kamberi ndër të tjera. /Gazeta Enigma/

Related Articles