Ndër fotografitë e vjetra që kanë lënë gjurmë, e të cilat përshkruajnë të kaluarën e gjysmës së dytë të shekullit XX-të të qytetit të Gjilanit, është edhe fotografia e realizuar në shkollën “Zenel Hajdni” në vitin 1976.
Në shiqim të parë nuk duket asgjë e veçantë, por ngjarja si e tillë përshkruhet si ‘lajm sensacional’ i viteve 70-të të sek. XX-të, pasi në atë ngjarje merr pjesë shahisti numër një në planet, rusi Anatoli Karpov.
Një turnir shahu – simultantë, i organizuar atëbotë nga Osman Latifi, kryetar i KSH “Partizani”, i cili me sponsorim të gjigandit të atëhershëm ekonomik, Kombinatit të Tekstilit, sjell në qytetin e Gjilanit kampionin e sapopromovuar të botës në shah, e që konsiderohej ngjarje e madhe për Gjilanin dhe Kosovën.
Vetëm disa muaj më parë Karpov ishte shpallur kampion i botës (1975) nga FIDE në shah.
Edhe pse nuk janë saktësuar emrat e shahistëve pjesëmarrës në atë turnir prestigji, mësohet se disa nga ta janë ish-shahistë të shquar gjillanas të asaj periudhe, në mesin e të cilëve Hysen Zymberi, i cili ka dërguar foton në redaksinë tonë, si dhe vëllau i tij Shefqet Zymberi, tashmë i ndjerë, si dhe mesuesi Bejtullah Ismajli, mesues, tashme i ndjere dhe disa nxënës-maturantë të shkollës. Nga më shumë se dhjetë takime të zhvilluara përnjëherë, vetëm njëri nga shahistët gjilanas, madje thuhet me pretekst, ka arritur remi.
Sipas shënimeve kronologjike mësohet se Karpov asokohe kishte fituar titullin të cilin e kishte mbajtur plotë dhjetë vjetë, shumë më gjatë se pararendësit e tij Bobi Fisher, Mihail Tal, Boris Spaski e të tjerë. Madje as Kasparov që ia kishte rrëmbyer atë, nuk kishte arritur të mbaj titullin më shumë se 8 vite. Kujtojmë që Karpov është shpallur kampion bote në vitin 1975 ndërsa e ka mbajtur atë ‘në pronësi’ deri në vitin 1985.