Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Vushtrrisë Mensut Ademi, ka thënë se ai nuk ndihet humbës i zgjedhjeve të 17 tetorit.
Ademi tha se ai dhe AAK janë dëmtuar nga sondazhet e realizuara.
“Neve na kanë dëmtuar në komunën e Vushtrrisë shumë sondazhe. Për shembull, kryetarin aktual sondazhet e kanë renditur çdo herë të parin, dhe me neve asnjëherë nuk janë marrë as me AAK-në as ne NISMA-n as me partitë e tjera”.
“Dhe tash fituesin kandidatin e Partisë Demokratike, çdo herë e renditnin të tretin. Kjo ka qenë indikacion për disa grupmosha apo banorë”.
Kandidati i AAK-së për të parin e Vushtrrisë tha se statistikat shndërrohen në gënjeshtra nëse mostra e hulumtimit merret gabim.
“Unë jam profesor i kriminologjisë dhe ne i shpjegojmë statistikat. Dhe një profesor i vjetër në Kroaci na thoshte: Janë tri gënjeshtra. Gënjeshtra e mirë, gënjeshtra e keqe dhe statistikat. Në fakt statistikat nuk janë gënjeshtra. Por, janë gënjeshtra nëse mostra merret gabim”, ka thënë ai në Klan.
Mensut Ademi, në zgjedhjet e 17 tetorit i ka marrë 547 vota apo 1.90 përqind. / Gazeta Enigma.