Kanë nisur hetimet për aksidentin tragjik të Diogo Jotas, ka prova në vendngjarje

Kanë nisur hetimet për aksidentin tragjik të Diogo Jotas, ka prova në vendngjarje

Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim të thelluar për të zbuluar shkaqet që çuan në vdekjen tragjike të futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva, në një aksident automobilistik që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në rajonin perëndimor të Zamorës, Spanjë.

Sipas zëdhënësit të Gardës Civile spanjolle, njëra nga gomat e Lamborghinit të Jotas besohet se ka shpërthyer ndërsa po tentonin të tejkalonin një automjet tjetër. Autoritetet thonë se po punojnë për të përcaktuar shpejtësinë e automjetit në momentin e përplasjes, duke analizuar gjurmët e gomave dhe provat në vendngjarje.

“Ajo që mund të konfirmojmë është se asnjë automjet tjetër nuk ishte i përfshirë dhe askush tjetër nuk është lënduar”, deklaroi zyrtari i Gardës Civile, duke nënvizuar se aksidenti ishte vetë-shkaktuar dhe ndodhi në një autostradë të izoluar pranë fshatit Cernadilla.

Pamje tronditëse nga vendi i ngjarjes tregojnë mbetjet e makinës së djegur, një Lamborghini Huracan, e cila kishte dalë nga rruga dhe ishte përplasur me një pengesë anësore. Mbetjet janë hequr nga rruga, por fragmentet e automjetit mbetën aty edhe pas largimit të autoriteteve.

Sipas raportimeve, Jota dhe vëllai i tij ishin duke udhëtuar drejt qytetit portual Santander, për të marrë një traget drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Mjekët i kishin ndaluar futbollistit të fluturonte, pas një operacioni në mushkëri, dhe për këtë arsye ai kishte zgjedhur udhëtimin me makinë.

Zyrtari i qeverisë spanjolle, Ángel Blanco, tha se goma e shpërthyer është faktori kryesor që po trajtohet në hetim. Ai konfirmoi se po merren të gjitha masat për të përcaktuar me saktësi rrethanat që çuan në këtë tragjedi.

Jota, i cili këtë vit fitoi Ligën Premier me Liverpoolin, kishte luajtur 123 ndeshje dhe shënuar 47 gola për klubin anglez. Ai gjithashtu kishte 49 paraqitje me kombëtaren e Portugalisë. Ndërsa vëllai i tij, Andre Silva, ishte lojtar i klubit portugez Penafiel.

Vetëm dy javë para aksidentit, Jota ishte martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë, Rute Cardoso, dhe lë pas tre fëmijë të vegjël.

Related Articles