Për shumë kohë ishin të paidentifikuar e të pakapshëm.
Por grupi që për një vit rresht tmerroi punëtorët e pompave të derivateve e marketeve në shumë qytete të Kosovës, ra në duart e policisë, të martën.
Madje, plaçkitësit e armatosur, siç njiheshin ndryshe, u kapën pak para se të iknin nga shteti, në stacionin e autobusëve.
A.S, dhe F.M, akuzohen për tri vepra penale. Njëjtë si edhe dy bashkëpunëtorët e tyre, XH.S dhe F.M.
”Prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e 4 personave të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar kanë kryer vepra penale të grabitjes, të zjarrvënies e të armëmbajtjes pa leje, si dhe për të njëjtit ka paraqitur kërkesë për paraburgim”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Organet e rendit po ashtu kryen bastisje në pronat e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale për rastet në të cilat dyshohen.