Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi, biznese e lokale të ndryshme përveç pasigurisë, po shkaktojnë edhe humbje të mëdha. Por jo gjithmonë hajnat kapen, pasi arrijnë t’iu ikin prangave të Policisë, duke qëndruar në arrati. Një rast i tillë i vjedhjes së rëndë ka ndodhur para disa ditësh në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë, por i dyshuari nuk është kapur deri dje.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti kishte ndodhur në një lulishte, kur një person kishte arritur të vjedh rreth 200 euro, të gjitha monedha metalike.
Si rezultat i denoncimit, Policia kishte nisur hetimet, që rezultuan me identifikimin e të dyshuarit.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për M.G., 23-vjeçar i cili u zbulua nga Policia dhe pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, u arrestua e më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vjedhje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.