Një shtetas rumun është arrestuar në pikën kufitare në Morinë.
Në veturën e tij, u sekuestruan rreth 70 kilogramë lëndë të dyshuara narkotike kanabis, nga Policia e Kukësit në bashkëpunim me kolegët e tyre kufitar në Morinë.
Në operacionin e finalizuar “Indicia” u arrestuan një 48 vjeçar F.B.
“Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në pjesën e poshtme të automjetit u gjetën dhjetëra pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 70 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe me 2 aparate celulare”, thuhet në njoftimin e Policisë Shqiptare.
Ani se rumuni u kap i vetëm, policia shqiptare po dyshon se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon hetimi i thelluar, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton tutje PSh.
Kjo sasi e kapur e kanabisit sipas forcave të rendit u bë vetëm falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative dhe të administruara nga strukturat hetimore, e ku për destinacion kishte vende të Bashkimit Evropian.