Karateistja Fortesa Orana ka arritur një sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke fituar medaljen e bronztë në garën prestigjioze “Karate 1 – Premier League”, që u mbajt në Kajro të Egjiptit.
Në duelin vendimtar për medaljen e bronztë në kategorinë mbi 68 kilogramë, Orana triumfoi të dielën ndaj italianes Clio Ferracuti me rezultat të ngushtë 4:3.
Ajo e kishte nisur garën të shtunën në mënyrë të shkëlqyer, duke fituar të gjitha ndeshjet në grup – tri fitore radhazi – për të kaluar në gjysmëfinale.
Në këtë fazë u ndal nga karateistja vendase, Haidi Mahgoub.
“Karate 1 – Premier League” konsiderohet një ndër garat më të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar të karatesë, duke tërhequr pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Përveç Oranës, Kosovën në këtë kompeticion e përfaqësuan edhe Vlera Qerimi (deri 68 kg) dhe Elmedina Istogu (deri 61 kg), të cilat, megjithatë, nuk arritën të futen në zonën e medaljeve.