Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Qëndron Kastrati, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se nuk po mendon për gjeneratat e ardhshme dhe të mirën e tyre në vend, por vetëm për votat në zgjedhjet e ardhshme.
Ai në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka theksuar se qëllimi primar edhe i Kurtit e edhe i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është që të përfitojnë elektoralisht. Kjo sipas tij përbën rrezik që konflikti të mbahet hapur nga ta.
“Përderisa i kemi këta liderë, fatkeqësisht edhe në Kosovë e edhe në Serbi, e kanë të njëjtë logjikë, ku qëllimin kryesor, primar e kanë të përfitojnë elektoralisht, ne jemi në rrezik, sepse këta kanë në interes gjithmonë që konfliktin ta mbajnë pak hapur, sepse kjo mund t’i përkthehet në vota”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka theksuar se e vetmja konsistencë e kryeministrit Albin Kurti, në procesin e dialogut është që në vazhdimësi i ka ndryshuar qëndrimet
“Kryeministri prej që ka ardhur në pozitë vazhdimisht i ka ndërruar qëndrimet, mos t’i harrojmë fillimisht kanë qenë katër kushte për tu ulur në tryezë me presidentit e Serbisë Vuçiq edhe të vazhdojë dialogun, në ndërkohë të gjitha veprimet e tjera kanë treguar se as nuk e ka të qartë dhe as nuk e ka një ide ku përnjëmend do të bëhej një zgjidhe paqësore”, ka deklaruar Kastrati.
“Ish-presidentë të Amerikës, kancelari i Gjermanisë kanë kërkuar që në këtë fazë dialogu të përfundojë me njohje, ndërsa ne tash kemi përfunduar me një plan ku po shihet që negociatat do të vazhdojnë edhe më tutje por gjithashtu nuk do të ketë njohje de jure për Kosovën”, ka shtuar Kastrati.