Qëndron Kastrati thotë se një prej arsyeve që ai e humbi garën për kryetar të Kamenicës është reforma në arsim. Ndërkohë ai ka treguar aleatët e Vetëvendosjes në Kamenicë, që i shkaktuan atij humbjen e pushtetit në këtë komunë.
“Kanë qenë bashkë së pari ish-kryetari i Komunës Begzad Sinani, Aleanca Kosova e Re, ish-kryetari Shaip Surdulli, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe dy ditët e fundit i është bashkuar, kanë pasur marrëveshje edhe me Listën Serbe”, tha Kastrati.
“Tash nëse vije puna me nda pushtetin, me drejtorë të shkollave, me punësime në administratë, normalisht se ne s’kemi mund të bëjmë një marrëveshje të tillë”, shtoi ai.
“Ne nuk e kemi pasur mundësinë me i premtuar dikujt punësim në qeveri ose në qendër. Nuk e kishim bërë një gjë të tillë. Ose me i premtuar dikujt që është nën hetime për shkak të të kaluarës së tij në pozita ministrore”, theksoi ai.
“Disave prej tyre u është premtuar pozita në qendër në Prishtinë, qoftë në qeveri, qoftë universitete apo ndërmarrje publike. Ndërsa me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë qenë pesë drejtori, 50 për qind të drejtorëve të shkollave edhe 50 për qind të punësimeve në administratë”, tha ai.
“Me Listën Serbe, çka është paradoksi i Vetëvendosjes, bën marrëveshje në këmbim të komunës së Kllokotit në këmbim që ata të mos dalin në zgjedhje, sepse qytetarët ishin më të prirur për të votuar për neve”, shpjegoi Kastrati.