Nevojitet një ndryshim serioz në politikën ndaj Kosovës, i cili tani po bëhet në atë mënyrë që Kosova të mbrohet deri në atë masë sa të mos zemërojë partnerët e saj në Perëndim, thanë në një konferencë të përbashkët për media katër “partitë patriotike opozitare” të Serbisë.
Në konferencë folën përfaqësues të partive “Zavetnici”, “Dveri”, të Partisë së Re Demokratike të Serbisë dhe “Lëvizjes për Rindërtimin e Mbretërisë së Serbisë” (POKS).
Paraqitja e përbashkët e katër partive politike parlamentare opozitare në Serbi është një lajm i madh dhe i rëndësishëm në skenën politike serbe, tha lideri i “Dveri”, Boshko Obradoviq.
“Në emër të grupit parlamentar të ‘Lëvizja serbe Dveri-Blloku Patriotik’, jap mbështetje të plotë për këtë lloj tubimi kombëtar në mbrojtje të interesave kyçe kombëtare dhe shtetërore. Ne jemi gjithmonë më të fortë së bashku dhe së bashku kemi 31 deputetë në tre klube parlamentare në bazë të 14 për qind të votave të fituara në zgjedhje”, tha ai, raporton “MoravaInfo”.
Obradoviqi vlerësoi se ishte shumë e pazakontë dhe simptomatike që njoftimi i përbashkët u “prit me thikë si nga autoritetet ashtu edhe nga opozita properëndimore”.
“Cila është mosmarrëveshja e tyre? Pse bëjmë thirrje për respektimin e Kushtetutës së Serbisë, pse luftojmë për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë, pse besojmë se qëllimi ynë kombëtar duhet të jetë kthimi i Kosovës dhe Metohisë në rendin e plotë kushtetues dhe juridik të shtetit të Serbisë? A është politika e tyre diçka ndryshe apo edhe njëri edhe tjetri i detyrohen Perëndimit”, pyeti lideri i “Dveri”.
Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi për bashkim kombëtar rreth “mbrojtjes dhe ruajtjes së Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë”.
“Në muajt në vijim do të nisim një turne në Serbi ku katër partitë tona politike së bashku me intelektualë të shquar serbë do të organizojnë debate për tema aktuale. Dhe një prej tyre, për të cilën besoj se së shpejti do të bëjmë sërish një deklaratë të përbashkët, është krijimi i një fronti të gjerë kombëtar kundër vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë. Është absolutisht e papranueshme për ne që të vendosim sanksione ndaj një vendi që është partneri ynë strategjik dhe garantues i ruajtjes së Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë”, përfundoi Boshko Obradoviq.