Aktori i njohur, Adem Mikullovci, sot ka bërë katër vjet prej se është ndarë nga jeta.
Në përvjetorin e tij të vdekjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkuar në vizitë familjes të së ndjerit.
Kurti, për Mikullovcin thotë se “pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare”.
“Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese. Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror. Ai ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si veprimtar e deputet”, shkruan Kurti në Facebook. /Gazeta Enigma