“Kem me të vra”/ Dy persona kërcënojnë me armë rojën e pyllit në Gjakovë, intervenon Policia

Zyrtarët e pylltarisë në shumë raste janë cak i zënkave me qytetarë në vende të ndryshme të Kosovës. Madje këta të fundit, shpeshherë eskalojnë në sulme verbale, kërcënime e dhunë fizike.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Lipovec të Gjakovës, ku dy persona dyshohet se kanë kanosur seriozisht një rojë pylli.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtari derisa ishte në detyrë ka ndalur dy të dyshuarit, të cilët i ishin drejtuar me fjalët kërcënuese se kanë qenë duke e kërkuar për ta vrarë.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar palët e përfshira në rast dhe kanë sekuestruar dy armë dhe disa fishekë, përfshirë armën me leje të rojës së pyllit.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit do të hetohen në liri për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Related Articles