Ka pasur shumë reagime lidhur me deklaratat skandaloze të ish-futbollistit serb, Zdravko Kuzmanoviq. Ai tha të mërkurën se po të luante ende do të nokautonte Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqiri.
Gazeta e madhe zvicerane, 20 Minuten, që edhe ka publikuar intervistën me Kuzmanoviqin, ka folur ndërkohë me palë të ndryshme në Zvicër lidhur me ato që i ka thënë ky ish-futbollist i Serbisë.
Lars Haefner, kryetar i Shoqërisë Zvicër-Shqipëi, ka thënë se deklaratat e Kuzmanoviqit ishin të gabuara.
Ai ka thënë se Xhaka e Shaqiri ishin provokuar para katër vjetësh në Rusi dhe nuk ishin ata që bënë provokimin. Haefner po ashtu ka kundërshtuar “glorifikimin” e dhunës nga ish-lojtari serb që është rritur në Zvicër.
“Kuzmanoviq thotë se duhet të ndahet sporti me politikën. Më pas e shihni se çka ndodhi në zhveshtoren serbe – kjo nuk shkon”, ka thënë Hafner, për flamurin provokues të shfaqur në zhveshtoren e Serbisë para ndeshjes me Brazilin.
Ka folur edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli.
“Çdo provokim është i dëmshëm dhe nuk i shërben sportit apo pajtimit mes popujve. Te Zvicra janë profesionisë dhe nuk do të lejojnë që të provokohen”, ka thënë Ukelli për “20min”.
Dragan Vasiljeviq nga qendra kulturore e Serbisë në Wil ka thënë se flamuri i shfaqur nuk ishte provokim. Ai shpreson që nuk do të ketë provokime tjera, ndërsa ka thënë se rasti i vitit 2018 nuk është më relevant dhe ka ndodhur shumë kohë më parë.