Presidenti i Klubit të Futbollit “Ballkani”, Arsim Kabashi rrezikon të dënohet me gjobë nga Federata e Futbollit të Kosovës për “kërcënim, fyerje dhe ofendim” të gjyqtarëve që ndanë drejtësinë në ndeshjen Ballkani-Dukagjini në fundjavë.
FFK-ja ka njoftuar sot se ka nisur një procedurë disiplinore ndaj kryetarit të Ballkanit, afaristit të ndërtimtarisë.
Pas ndeshjes Ballkani-Dukagjini të dielën, e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1, i pari i klubit kampion të Superligës ka hyrë në zhveshtoret e gjyqtarëve të takimit dhe i ka kërcënuar e fyer ata.
Vendimin për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tij e ka marrë Komisioni i Garave i FFK-së.
“Ndaj: Kryetarit të FC Ballkani, Arsim Kabashi nr ID009626M85. MOTIVI: Pas përfundimit të ndeshjes, në zhveshtore të referëve, ka hyrë kryetari i klubit Arsim Kabashi dhe i ka kërcënuar, fyer dhe ofenduar ata edhe në baza familjare. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ballkani-Dukagjini”, thuhet në njoftim.
Arsim Kabashi e mori udhëheqjen e Ballkanit në vitin 2018. Që nga atëherë klubi ka arritur të shpallet Kampion i Kosovës në futboll më 2022.