Udhëheqësit izraelitë kanë mirëpritur një zotim të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Ai ishte shprehur se do të kishte “ferr për t’u paguar” në Lindjen e Mesme, nëse pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës nuk lirohen përpara inaugurimit të tij, më 20 janar.
Trumpi ka shkruar në rrjetin “Truth Social”, pa përmendur asnjë grup, se pengjet duhej të liroheshin deri në kohën kur ai të bënte betimin, raporton Reuters, transmeton Gazeta Enigma.
“Ata që janë përgjegjës do të goditen më fort se kushdo është goditur në historinë e gjatë dhe të rrëfyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trumpi duke folur rreth mundësisë që kërkesa e tij të mos plotësohej.
Gjatë sulmit të tyre vdekjeprurës të vitit 2023 ndaj Izraelit, militantët e udhëhequr nga Hamasi kapën më shumë se 250 persona.
Ndonëse disa janë liruar, por rreth gjysma e tyre janë ende në Gaza, dhe të paktën një e treta e tyre besohet të jenë të vdekur.
Për këtë Benjamin Netanyahu dhe shumë nga ministrat e tij falënderuan publikisht Trumpin.
“Presidenti Trump e vuri theksin në vendin e duhur, mbi Hamasin dhe jo mbi qeverinë izraelite, siç është zakon diku tjetër”, ka thënë Netanyahu në fillim të një takimi të kabinetit.
Ministri i Financave Bezalel Smotrich tha se deklarata e Trump ua kishte bërë të qartë të gjithëve se kush ishte me të drejtën dhe kush e kishte gabim.
Falënderimet e tyre u shprehën edhe nga familjarët e pengjeve të zhdukur. /Gazeta Enigma