Kërkohet kujdes me zbatimin e rregullave ndërkombëtare pas masave mbrojtëse ndaj Serbisë

Kërkohet kujdes me zbatimin e rregullave ndërkombëtare pas masave mbrojtëse ndaj Serbisë

Hapjen e hetimeve zyrtare për masat mbrojtëse në importe e ka paralajmëruar ministrja Rozeta Hajdari në një konferencë për media.

Hajdari ka bërë të ditur se gjatë nëntëmujorit të vitit 2021, importi nga Serbia i produkteve konditorike, siç janë biskotat dhe ëmbëlsirat, ka pasur rritje enorme deri në 29%.

Ka thënë se këto veprime po i bëjnë që t’i mbrojnë prodhuesit vendorë.

“Ne kemi vërejtur që ka shumë importe së fundi nga tregu i Serbisë, kryesisht janë rritjet enorme të disa nga produktet konditorike, por së pari dua t’ ju njoftoj për Ligjin për masat mbrojtëse në importe. Ligji zbatohet zakonisht për aplikimet e masave mbrojtëse në import dhe në mbrojtjen e prodhuesve vendorë në rastet kur ato dëmtohen apo kërcënohen për dëmtim serioz nga importi i mallrave të cilat ndikojnë në çrregullimin e tregut”.

E pyetur për masat konkrete që do t’i marrin për rritjen e importit për produktet konditorike, ministrja Hajdari ka thënë se do të bazohet në evidencat e komisionit vlerësues.

“Ne masat që do t’i marrim do të bazohemi nga rekomandimet e komisionit përkatës i cili do të bëjë një analizë të mirëfillte. Unë nuk kisha dashur të lëshohem në parimin ose në praktikën e vendimit të cilin do ta marrë tani, por do të bazohem në evidencën bazë që do të sjellë komisioni vlerësues përkatës. Dhe është shumë me rëndësi që një ministër të mos mendojë paraprakisht çfarë do të veprojë pa marrë ndonjë evidencë të plotë nga terreni”.

Arian Zeka, kryetar i Odës Amerikane të Kosovës, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të ketë kujdes dhe të mos i shkelë rregullat ndërkombëtare të tregtisë së lirë.

“Pavarësisht që është në të drejtën e Republikës së Kosovës që të vendosë masa të tilla duhet të sigurohet që jo vetëm legjislacioni por edhe rregullat ndërkombëtare të tregtisë duhet të zbatohen në plotni para se të merren vendime të tilla, ashtu që pastaj ne të mos ballafaqohemi me ndonjë kundërmasë apo edhe me ndonjë ndëshkim nga institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve”.

Eksporti i Kosovës në Serbi, për produktet konditorike gjatë periudhës kohore 2020-2021, është vetëm 1% nga totali i këtyre produkteve nga Kosova. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles