Familjarë të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë kanë bërë thirrje që të zbardhet fati i tyre. Derisa i kritikuan institucionet se nuk po e trajtojnë me prioritet këtë çështje, kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa një zgjidhje në këtë drejtim
Plagë e hapur për më se 1.600 familje mbetet moszbardhja e fatit të të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe pikërisht kjo temë është trajtuar të premten, në ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Jemi në gjendje shumë, shumë të vështirë. Pritja qenka shumë e rëndë. Bëjmë thirrje që të na kthejnë të dashurit tanë, ashtu që së paku të kemi një varr”, ka bërë thirrje Nysrete Kumnova, e cila tash e më shumë se dy dekada nuk di gjë për fatin e të birit të saj të zhdukur.
Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, ajo bashkë me disa familjarë të tjerë dhe përfaqësues të familjeve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, vendosën kurora lulesh te pllaka përkujtimore për ta. Ata kritikuan me këtë rast ekzekutivin dhe kërkuan që çështja të trajtohet me prioritet.
“Presioni mungon edhe prej institucioneve tona e edhe institucioneve ndërkombëtare. Për më shumë, këtë çështje nuk e kanë as prioritet”, është shprehur Kumnova.
Tash e 22 vjet, në kërkim të të birit të tij është edhe Shaip Ramabaja nga Komuna e Prishtinës.
“Djalin e kam të humbur si krejt shqiptarët. Por këta nuk kanë bërë asnjë gjë të zotit, vetëm kanë vrapuar pas hajnie. Vijnë e bëjnë hajagare me ne. E kam djalin e humbur qe 22 vjet”, ka thënë ai.
Me punën e institucioneve të pakënaqur janë shprehur edhe nga shoqatat e të zhdukurve.
Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Shoqatave të të Zhdukurve, ka theksuar se mes zhgënjimeve, familjarët e të zhdukurve po ballafaqohen edhe me ndërrimin e shpeshtë të ekspertëve, gjë kjo që po u shkakton probleme të shumta atyre.
“Institucionet i shkelin çdo ditë të drejtat e familjarëve të të zhdukurve dhe viktimave të luftës në Kosovë. Kjo qeveri premtoi para se të vinte në pushtet se do të punojë më tepër për zbardhjen e fatit. Gjatë procesit të një viti, Qeveria nuk e ka bërë atë që e kemi pritur”, është shprehur ai.
E disa minuta pasi që u vendosën lule në këtë pllakë, familjarët vazhduan tek aktiviteti i organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Aty i pritën krerët e institucioneve. Në kuadër të prezantimit të Raportit Vjetor të Komisionit për Personat e Zhdukur, kryeministri Albin Kurti ka thënë se zbardhja e fatit të tyre ka qenë dhe është prioritet për Qeverinë e tij.
“Kemi bërë të qartë se kjo çështje është prioritet dhe gjithmonë e kemi bërë të ditur këtë. Besoj që e keni përcjellë edhe ju se personalisht kam qenë i zëshëm me aktorë relevantë ndërkombëtarë, e kam përmendur çështjen e të zhdukurve me dhunë. Po e përmend se marrëveshje me Serbinë nuk do të ketë pa zbardhjen e kësaj çështjeje”, është shprehur Kurti.
Ai ka deklaruar se po diskutohet hapja e disa vendvarrezave, derisa ka shtuar se është kërkuar amendamentimi i Ligjit, porse kjo ende nuk ka përfunduar.
“Në nëntor e kemi nisur draftimin e Ligjit dhe në gjashtë muajt e parë të 2022-tës do të kemi mekanizëm që do të adresojë krimet e luftës. Po punojmë që të bëjmë më të mirën që të mbyllim plagët e juaja, por edhe neve. Jam i bindur që me Andin Hotin keni një bashkëpunim të shkëlqyer”, ka deklaruar Kurti para Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur e familjarëve. Me këtë rast është shfaqur edhe një video me punën e Komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur, që paraqiste sfidat kryesore në punën lidhur me personat që ende nuk janë gjetur, dhe se Serbia është pala që nuk po lejon që kjo çështje të zgjidhet.
Në vitin 2021 është gërmuar një varrezë në Kizhevak të Serbisë, ku edhe janë gjetur mbetje mortore të 9 viktimave të luftës.
Sipas Komisionit qeveritar për të zhdukurit, “në territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti janë kryer gërmimet në 9 lokacione të ndryshme: varrezat në lagjen Brekoc të Gjakovës; varrezat në lagjen Arbanë të Prizrenit; varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës; varrezat e Qytetit në Shtime; varrezat në fshatin Petrovë të Shtimes; varrezat në fshatin Marinë të Skenderajt; një lokacion në fshatin Strellc të Deçanit; një lokacion në fshatin Planej të Prizrenit, si dhe lokacioni në fshatrat Dreth e Kalludër të Zubin-Potokut, në dy prej të cilave janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të dy personave, një në Brekoc dhe një në Arbanë”. /Gazeta “Enigma”/