10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Në mbarë botën kjo datë shënohet si Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, si një përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, shkruan Gazeta Enigma.

Avokati, Hamdi Jashari në një prononcim për Gazetën Enigma ka deklaruar se qytetarëve të vendit tonë, në disa gjykata, duke filluar nga Gjykata e Apelit të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe disa gjykata të tjera, në mënyrë të vazhdueshme prej shumë vitesh, që nga hapat e parë të procesit gjyqësor u shkelen të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ka pasur raste kur qytetari i caktuar ka deponuar një kërkesë në gjykatë, ndërsa gjyqtari i caktuar lëndën e tij me vite e ka mbajtur në sirtarë, pa e treguar fare në punë, ndërsa pas më shumë se 5 vitesh kur ka filluar procesi, është konstatuar se një gjyqtar i tillë ka pengesa ligjore për t’a trajtuar atë lëndë”, thotë Jashari.

Avokati, Hamdi Jashari

Ai potencon se në gjykatat vendore ka raste ku proceset gjyqësore janë duke u zhvilluar qe 15-20 vite dhe në lidhje me të njëjtat ende nuk ka një vendim përfundimtarë.

E një gjë e tillë sipas tij është një drejtësi e mohuar që shkaktohet nga shumë elemente, duke filluar nga dukuria e korrupsionit (financiar apo në ndonjë formë tjetër), nga pa aftësia e gjyqtarëve dhe nga mungesa e guximit të tyre për të vendosur përfundimisht mbi një çështje të caktuar.

“Vendosja në numër të madh i lëndëve, nuk është sukses i këtyre institucioneve dhe pikërisht ndoshta edhe ky fenomen që është pasojë e pa aftësisë së tyre dhe pa denjësisë për një pozitë të tillë, prej vitesh ka shkaktuar dhe shkakton problemet që gjyqësorin dhe prokurorinë e kanë sjellë në një gjendje jo të kënaqshme”, shton avokati, Hamdi Jashari.

Po në këtë ditë, u zhvilluan aktivitete që u mbajtën në kuadër të Javës së të Drejtave të Njeriut, aktivitet që u organizua në bashkëpunim me Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) dhe mbështetët nga Departamenti i Shtetit Amerikan – INL.

Drejtoresha e organizatës Vullnetarët e Qytetit, Ardianë Halimi, deklaroi se në këtë aktivitet qytetarët kalimtarë patën rastin nga vullnetarët e këtij aktiviteti të marrin informacione bazike rreth të drejtave të njeriut dhe rreth institucioneve përgjegjëse për denoncimin dhe paraqitjen e shkeljeve të të drejtave të tyre.

Drejtoresha e organizatës Vullnetarët e Qytetit, Ardianë Halimi

“Në shenjë proteste qytetarët patën mundësi t’i shënojnë në mënyrë anonime ankesa që kanë vlerësuar së u janë shkelur të drejtat e njeriut, dhe të njëjtat përmes platformës www.edrejtajem.org do të plotësohen për të ju drejtuar institucioneve të drejtësisë të Kosovës”, tha Halimi për Gazetën Enigma.

Tutje, ajo ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse të drejtësisë që të jenë më aktive në shqyrtimin e rasteve të denoncimeve në mënyrë të paanshme dhe të shpejtë.

“Kërkojmë që të zbatohen ligjet dhe të vendoset drejtësia për secilin rast”, përfundoi ajo.

Ndërsa, UNMIK-u ka konfirmuar mbështetjen për institucionet e Kosovës dhe të palëve të tjera me interes, në përpjekjet për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke përfshirë edhe brenda kontekstit të krizës aktuale të COVID-19.

Në të njëjtën kohë, UNMIK u bëri thirrje që të drejtat e njeriut të vendosen në qendër të reagimit ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbjes nga kjo pandemi, posaçërisht në avancimin e barazisë, si dhe përfshirjes e mos diskriminimit në këtë proces.

“Si në Kosovë, ashtu edhe në mbarë botën, pandemia COVID-19 ka thelluar pabarazitë që kanë ekzistuar më parë, duke ndikuar në mënyrë disproporcionale në një numër të madh njerëzish që gjenden në situata të cenueshme. Brenda këtij konteksti, UNMIK-u inkurajon institucionet e Kosovës që në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me palët e tjera të interesit të sigurojë që të gjitha komunitetet të mund të gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre, me theks të veçantë në sigurimin që askush të mos lihet anash”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut./Gazeta Enigma/

Related Articles