Në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet është përmbyllur fushata sensibilizuese me moton “Dhuna nuk ka justifikim”, pjesë e kampanjës për promovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për qeverisjen e mirë në Zyrën e kryeministrit, tha se kjo fushatë qëllimin kryesor e ka që të ngritet vetëdija në parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve.
“Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka hyrë në fuqi dhe Qeveria është e angazhuar që të punoj në zbatim. Ne bashkërisht kemi nisur këtë fushatë bashkë me organizatat e shoqërisë civile kemi bërë shumë aktivitete në tërë territorin e Kosovës”.
Tutje se ligji i obligon institucionet që të punojnë në parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj fëmijëve.
“Ne kemi paraparë një fushatë të tillë në terren, ku këto pllakata janë me mesazhe të fëmijëve që institucionet me marrë veprime për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e dhunës. Ligji për Mbrojtjen e fëmijëve obligim institucionet që të punojnë vazhdimisht”, theksoi tutje ai.
Naser Lajçi, menaxher i Zyrës së Mbrojtjes së Fëmijëve tha se kjo fushatë përmbyllet në Prishtinë pasi u mbajt në 7 qendra të Kosovës.
Sipas tij, dhuna sidomos ndaj fëmijëve duhet që të ndalet njëherë e përgjithmonë, raporton EO. Lajçi tha se ka ngritje të raportimeve të rasteve, qoftë të ngacmimeve apo bullizmit.
“Fushata ‘Dhuna nuk ka justifikim’ e cila është pjesë e kampanjës së organizata Syri i Vizionit përmbyllet sot këtu në Prishtinë pas shtatë qendrave të tjera, që ka filluar më 24 tetor”.
“Qëllimi kryesor i kësaj fushate është sensibilizimi dhe ku fëmijët të mund të ndjehen të sigurt. Pra qëllimi kryesor është që të ndalet njëherë e përgjithmonë dhuna”, tha ai./Gazeta Enigma/