Këshilli i Prindërve të Kosovës e ka kërkuar pezullimin e Testit të Arritshmërisë dhe atij të Maturëës dhe ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre.
Përmes një reagimi publik, Këshilli e ka quajtur Testin e Arritshmërisë të “keqprojektuar, keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të”.
“Ndërsa i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t’i shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve, testi i maturës dhe arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë. Ato teste janë shembuj konkret se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë ‘paushalli’ i politikbërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në reagimin e këshillit.
Tutje ka shprehur indinjatë edhe ndaj sistemit arsimor, për të cilin Këshilli i Prindërve ka thënë se po rrënon shpresën e prindërve për të rritur fëmijët në vendin e vet.
“Ky sistem arsimor është edhe i skaduar e edhe i dëmshëm (në tërësinë e tij)! Duhet një plan kombëtar, me pajtim të të gjitha palëve, për ta ringjallur, përditësuar dhe reformuar në palcë sistemin arsimor parauniversitar në Kosovë”.