Këshilli Prokurorial i Kosovës iu është kundërpërgjigjur kryeministrit Kurti lidhur me disa prej deklarimeve të këtij të fundit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një komunikate të para pak çasteve, KPK apostrofoi sërish edhe çështjen e rastit të Dino Asanajt.
“KPK-ja thekson se për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti”, thuhet ndër tjerash.
Veç kësaj, KPK ka ftuar qytetarët për bashkëpunim shtesë në rastin “Dino Asanaj” nëse kanë informacione të tjera.
Më poshtë edhe komunikata e plotë:
Prishtinë, 20 prill 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, posaçërisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, deklaron se, sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast.
KPK-ja thekson se për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti.
KPK-ja thekson se institucionet prokuroriale janë të gatshme plotësisht dhe të përkushtuara që ligjërisht të trajtojnë secilin informacion me interes për ndriçimin e të gjitha rasteve në fjalë.
Rrjedhimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, informon publikun e gjerë se, sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate.
Gjithashtu, KPK-ja demanton deklaratat e pavërteta se ka pasur raste edhe me herët por kinse nuk janë ka trajtuar, pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le ta deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë.
KPK-ja deklaron se mbështet dhe mbron me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe në ketë rast edhe punën e PRSK-së dhe të prokurorëve të saj, të cilët angazhohen dhe punojnë që të zbatohen ligjet e vendit dhe që të mos atakohen pa fakte në çdo situatë dhe për agjenda që nuk janë në domenin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.