Presidenti amerikan, Joe Biden është takuar sot në Kiev me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, në prag të njëvjetorit të pushtimit rus në Ukrainë.
Bëhet fjalë për vizitën e parë të Bidenit në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në këtë vend, që është një shenjë për mbështetjen e madhe për Ukrainën, raporton Reuters.
Udhëtimi i sotëm i presidentit amerikan Joe Biden në Kiev, për arsye sigurie ishte mbajtur sekret gjatë tërë kohës.
Aeroplani presidencial Air Force ishte ngritur në ajër nga baza ajrore Andrews në Maryland, gjatë ditës së djeshme në kohën kur po binte terri. E gazetarët që ndoqën këtë ngjarje nuk u është lejuar të bartin me vete pajisje si aparate e kamera.
Udhëtimi i Bidenit nuk ishte paralajmëruar fare, kurse zyrtarët e Shtëpisë së Bardhe gjatë javës së kaluar kanë deklaruar disa herë se nuk bëhet fjalë për ndonjë vizitë të Bidenit në Ukrainë.
Të dielën mbrëma, pak para se të udhëtonte, Biden shkoi me gruan e tij në Washington, nga ku më nuk është parë fare deri sot në mëngjes pas arritjes në Kiev.
New York Times raporton se Biden arriti në Kiev me tren, Udhëtimi kishte filluar nga Polonia dhe kishte zgjatur më shumë se një orë deri në Kiev. NYT e ka përshkruar vizitën si “demonstrim i vendosmërisë së administratës së Bidenit”.
Biden arriti në Kiev në ora 8 të mëngjesit, ku u prit nga ambasadorja amerikane në Kiev, Bridget Brink. Autokolona vazhdoi rrugëtimin nën masa të rrepta të sigurisë drejt pallatit Marinski, rezidencën e presidentit ukrainas. Atje u prit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe gruaja e tij Olena Zelenska.
Derisa Biden po ecte rrugëve të Kievit, në kryeqytetin ukrainas u aktivizuan sirenat që paralajmërojnë për sulme të mundshme ajrore.
Në anën tjetër, Ukraina është në lufte kurse ushtria amerikane nuk është e përfshirë në të, gjë që e bën këtë vizitë të jetë e veçantë nga udhëtimet tjera të presidentit amerikan.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, disa herë në fillim të këtij viti kanë mohuar mundësinë se do të ketë vizitë të Bidenit në Ukrainë.
Biden kryesisht udhëton me një numër të vogël të përcjellësve, ku përfshihet këshilltari i tij për Siguri Nacionale, Jake Sullivan, zëvendës-shefja e personelit Jen O’Malley Dillon si dhe ndihmësja personale Annie Tomasini.
Presidenti ukrainas qysh në fillim të luftës në Ukrainë e kishte ftuar Bidenin për një vizitë në Kiev, derisa forcat ruse po grumbulloheshin përgjatë periferisë së kryeqytetit ukrainas.
Javën e kaluar, Zelensky tha se ftesa për Bidenin për një vizitë në Kiev akoma vlen. Në anën tjetër, pas vizitës në Kiev, presidenti amerikan pritet të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt Polonisë.