Dje në fshatin Bajçinë të Podujevës, pas një përleshjeje ku u përdorën armë e tërfurk, ka mbetur i plagosur një 47-vjeçar. Tre të dyshuarit e përfshirë në rast janë nga e njëjta familje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit janë:
Xhevdet Sogojeva 40-vjeçar
Driton Sogojeva 47-vjeçar
Bejtullah Sogojeva 59-vjeçar
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se Dritoni është dërguar atje me plagë në gjoks, pasi dyshohet se ishte goditur me mjet të mprehtë.
Pas dhënies së ndihmës mjekësore, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë, mirëpo po vazhdon trajtimin e tij nën përkujdesjen e mjekëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Policia e Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, pasi kanë marrë informacione se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Aty janë gjetur dhe sekuestruar një armë me municion, një gëzhojë dhe një tërfurk, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes mes të dyshuarve.
Të dyshuarit janë arrestuar, përfshirë edhe të plagosurin, i cili ndodhet në QKUK nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Motivet që çuan deri te kjo ngjarje janë ende të panjohura, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’ dhe Bejtullah Sogojeva është dërguar në mbajtje. Veprimet tjera hetimore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.