Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri goxha e shpeshtë në Kosovë. Hajnat, herë vetëm e herë në grup jo rrallëherë kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, apo edhe nga qytetarët që i zënë në pronat e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur të premten në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës, ku një banor kërkoi ndihmën e Policisë.
Të dyshuarit u kapën mat nga pronari i pronës dhe siç nuk ndodhë zakonisht, ata s’donin të largoheshin, por u treguan trima, duke kërkuar madje që ta vazhdojnë punën pa i penguar askush.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që po dyshohen për këtë rast dhe ranë në prangat e Policisë janë Ali Kuleta, Ilaz Bajçinofci dhe një i mitur.
Të dyshuarit u arrestuan nga Policia pasi viktima raportoi rastin dhe si rezultat nisën hetimet që çuan në identifikimin dhe kapjen e tyre.
Pas shoqërimit në stacion policor, të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me t’u përfunduar procedurat, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim.
Ndaj të dyshuarve të moshës madhorë është urdhëruar masa e ndalimit policorë, ndërsa i mituri është lënë i lirë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.